Konferenca e Sigurisë, Berisha: Kemi ende probleme me mafien
Kryeministri Sali Berisha, duke folur në konferencën rajonale parlamentare të Sigurisë, tha se lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj partnerëve dhe ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, në një hark të shkurtër kohor, prej 18 muajsh, u çmontuan më shumë se 206 banda e organizata kriminale dhe mbi 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u identifikuan, u gjetën, u arrestuan dhe u vendosën para ligjit. “Ne e shembëm murin e krimit të organizuar, por sërish kemi probleme serioze me mafien. Unë jam këtu për t’u zotuar se atë që pësuan bandat do të pësojnë dhe klanet e mafies. Këto ditë ne kemi miratuar një ligj të ri, i cili synon goditjen ligjore të krimit ekonomik të tyre. Në rast se nuk u shkatërrojmë ekonominë, lufta kundër mafies është vetëm iluzion. Lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve tanë, ndaj partnerëve tanë, ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në BE. Ne jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë”, tha Berisha. Duke iu referuar bashkëpunimit rajonal, Kryeministri u shpreh se “duhet të kemi edhe ligje të njëjta kundër mafies, në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri apo në vende të tjera”. Në këtë konferencë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se “Koncepti i ri strategjik i NATO-s do të ketë parasysh sfidat e reja të sigurisë: riprodhimin e armëve, piraterinë, energjinë, terrorizmin, ndryshimet klimatike, natyrisht, luftën kundër krimit të organizuar dhe mafies. Kjo sjell udhërrëfyes për vendet e qeveritë e NATO-s, si ato duhet të transformojnë më tej aleancën dhe strukturat e veta të sigurisë”. Topalli shtoi se “ne kemi dëshmuar një vullnet të çeliktë në shkatërrimin e bandave kriminale dhe për këtë u shpërblyem me NATO-n. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë betejë çdo interesi kriminal apo mafioz, të veshur apo jo me kostum zyrtari, për t’u shpërblyer me BE-në. Ne jemi në një fazë të re, fazë e re me sfida të reja dhe që kërkon përgjigje të reja”.