E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxha, menaxheri më i suksesshëm i dekadës

Nga Express më 28 dhjetor 2010 në ora 19:31

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së Shyqyri Haxha është shpallur menaxher më i suksesshëm i dekadës nga ana e punëtorëve të PTK-së për menaxhim efikas dhe të arritura afariste.

Nisma për të shpallur menaxherin më të suksesshëm të dekadës 2000-2010 është ndërmarrë nga një grup punëtorësh të PTK-së, me arsyetimin se kjo kompani gjatë kësaj kohe ka arritur suksese të dalluara dhe menaxhim shembullor.

“Rezultatet e arritura shihen ndër to i kisha cek si menaxhim të suksesshëm raportin e parë pozitiv të auditorit, rritjen e trafikut, shërbimeve dhe produkteve, rritja e të hyrave dhe vlerës së përgjithshme të kompanisë, ngritja e konsiderueshme e numrit të konsumatorëve që tejkalon 1.2 milionë; operatori i katërt në Shqipëri, shërbimet e reja si WIFI dhe IPTV, kualifikimi nga UNDP-ja si kompania më e pakorruptuar; sfidat e mëdha me të cilat është ballafaquar, luftimi i dukurive negative, etj – kanë shtyrë grupin inicues për të marrë këtë iniciativë”, ka thënë Muharrem Ahmeti.

Për kryeshefin ekzekutiv të PTK-së kjo nuk është mirënjohja e parë me të cilën ai është nderuar, për arsye se ai është vlerësuar në vazhdimësi për punën e suksesshme dhe performancën e lartë që ka treguar që prej ardhjes së tij në krye të PTK-së.

“Kjo për mua ka një domethënie të madhe për vetë faktin që punëtorët e PTK-së me ata të cilët punojmë bashkë për çdo dite e shohin punën që ne e bëjmë dhe shërbimet, respektivisht produktet tona janë ato të cilat kanë ndikuar që kjo kompani të zhvillohet dhe të përmirësohet”, ka thënë Haxha.

Për punën dhe menaxhimin e tij të suksesshëm, Dr.Haxha është shpallur menaxher i vitit për periudhën 2009 – 2010, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, ndërkohë që institucione dhe shoqata të ndryshme e kanë nderuar me mirënjohje të veçanta. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›