E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peng

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, vendosi të nisë fushatën elektorale duke shpallur aleat të tij kryesor përgjegjësin kryesor politik për tragjedinë e Gërdecit. Me një fytyrë të prerë dhe i mllefosur me drejtësinë, kryeministri u shfaq para shqiptarëve me imazhin më të keq të mundshëm që mund të shfaqej para tyre, për t’iu kërkuar një mandat të dytë. Edhe pse ka një javë që anatemon kundërshtarët e tij që duan të përdorin politikisht Gërdecin, edhe pse ka një vit që shan dhe mallkon prokurorinë për hetimet dhe kërcënon Gjykatën e Lartë për ndonjë vendim të mundshëm, ai dëshmoi dje pafuqinë e tij për të ndarë fatin politik të Partisë Demokratike nga fati politik, por dhe juridik i një politikani më shumë se ordiner, i cili në biografinë e vet i ka tashmë të gjitha rekordet e zeza të një politikani. Ai është i dënuar nga drejtësia italiane për lehtësim udhëtimi të një personi në kërkim për vrasje dhe droge, është shquar si një nga ministrat më të korruptuar të qeverisë së tij, dhe së fundmi është përgjegjësi kryesor për një histori të rëndë korrupsioni, e cila përfundoi me vrasjen e 26 vetëve dhe miliona euro dëme.

Sali Berisha nuk hyn tek ata politikanë që i ka pasion tipa të tillë delinkuentë dhe mendjelehtë. Ai nuk joshet kollaj as nga bota e krimit, as në ditë të vështira, dhe as që e ka pasur në filozofinë e tij bashkëpunimin me politikanë të njollosur për histori të rënda korrupsioni dhe trafiku. Një arsye madhore po e çon atë ngjiturazi me trupin e Fatmir Mediut drejt betejës elektorale. Si çdo sistem mafioz, dhe ky që ka kapur qeverinë tonë aktuale, ka përdorur gjithë parametrat e mafies. Sali Berisha është peng te Fatmir Mediu për një arsye shumë njerëzore që e kuptojnë vetëm ata që kuptojnë pafuqinë e tij për të dalë para shqiptarëve dhe për t’u distancuar nga lobimi i të birit të tij, Shkëlzen Berisha, për kontratën që shkaktoi tragjedinë. I pafuqishëm të dalë publikisht dhe të thotë se “im bir duhet të gjykohet si gjithë të tjerët”, ai ka një vit që po bën burracakun dhe po sulmon çdo ditë drejtësinë për ta njollosur atë paraprakisht dhe për ta pozicionuar, për të zhvlerësuar çdo vendim që do të marrin rreth kësaj çështjeje. Fatmir Mediu është kthyer në të preferuarin e tij të madh, pikërisht pse është personi që po i provon se është i gatshëm të shkojë dhe në burg pa folur për djalin e tij. Ky personalizim primitiv i politikës dhe i pushtetit të së djathtës te pazaret e Mediut me çunin e Berishës është një taksë e rëndë për këtë betejë elektorale. Në ndryshim nga filozofia e tij e vitit 2005, kur ai niste fushatën duke thirrur ish-kundërshtarët e tij për aleatë, tashmë Sali Berisha po nis fushatën duke e thirrur atë në publik, një personazh i njohur i lidhjeve të politikës me krimin ordiner në Shqipëri dhe historitë e korrupsionit. Sali Berisha nuk është më lideri që thërret dikë, por është lideri që e thërrasin, se kanë nevojë të dëshmojnë se ata janë nën mbrojtjen e tij. Hotel “Rogner” ishte dje një skenë e tillë mortore, ku nën kujdesin e “liderëve” të TV “Klan”, dyshja Mediu- Berisha përpiqej të pinte kafe qetësisht sikur nuk kishte ndodhur asgjë, pas marrëveshjes. Ky demonstrim “uniteti” mes Berishës dhe Mediut është skena klasike e një politikani peng, që nuk ka më fuqi ta kundërshtojë njeriun që mund ta kishte tretur në burg tashmë, sikur të mos i kishte marrë peng djalin e tij. Sikur në historinë e Gërdecit mos të shfaqej emri i Shkëlzen Berishës dhe Rrahman Selmanllarit, Fatmir Mediu do të ishte tani njeriu më i anatemuar nga Sali Berisha si mafioz, i papërgjegjshëm, i lidhur me krimin dhe epitete të tjera si këto.

Dje, në kundërshtim me historinë e tij politike, ai u detyrua të dilte në publik me Fatmir Mediun për t’i plotësuar atij dëshirën e radhës që të mos dalë nga politika, siç kërkon opinioni publik. I frikësuar se kërkesat publike për daljen e tij nga politika mund të bëheshin realitet, ai i kërkoi dje me urgjencë ta konfirmonte aleancën me të. Dhe pa e pasur fare në plan, jashtë çdo axhende, njerëzit e PD u thirrën dje me urgjencë të pozonin bashkë me Fatmir Mediun fillimin e një fushate mortore elektorale. Koalicioni, i cili e ka tashmë legjitim emrin “Koalicioni i Gërdecit”, do të duhet të shpenzojë shumë herë më tepër energji nga sa mund të harxhonte po të mos e kish simbolin e tragjedisë që u prodhua prej korrupsionit në krah të Sali Berishës. Shpresat e së djathtës për një mandat të ri kanë marrë po ashtu një goditje të rëndë, vetëm për shkak të pafuqisë së Sali Berishës për t’i thënë jo shantazhit të Fatmir Mediut ndaj tij, që i mban peng historinë e djalit të tij. Dhe kur një betejë nis me një dëshpërim të tillë dhe makth nga e vërteta, ajo s’mund të sjellë kurrë fitore, pasi kjo shumicë do të harxhojë tanimë më shumë energji për të mbrojtur Fatmir Mediun nga antivlerat e tij se sa për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për vlerat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›