Haxhi Pishmani i opozitës duhet të marrë vendim për imunitetin
Situata absurde në të cilën është vendosur politika, e cila pret vendimmarrjen e Edi Ramës për heqjen e imunitetit, fatmirësisht ka një datë finale. Më 6 gusht, PS duhet të komunikojë vendimin e vet për projektin e përbashkët Paloka-Majko, por sa kohë opozita drejtohet nga “Haxhi Pishmani”, këtë përgjigje s’mund ta dimë, para se të gdhihet ajo ditë
Deklarata/Berisha i përsërit apelin Edi Ramës për të votuar heqjen e imunitetit
Edhe dje gjatë mbledhjes së përjavshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha i përsëriti apelin Edi Ramës, për heqjen e imunitetit në 6 gusht. Kreu i qeverisë vuri në dukje se kjo datë nuk është arbitrare sikundër përpiqet ta servirë Partia Socialiste, por është një limit që përcakton Rregullorja e Kuvendit sipas vetë propozimeve të socialistëve në vitin 2008, që ndryshimi i Kushtetutës të ecte sipas një kalendari të mirë-përcaktuar për të shmangur ndërhyrjet e nxituara.
“Kam një ftesë të re për zotin Rama për të votuar më datën 6 gusht projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. Dua t’i informoj qytetarët se data 6 gusht nuk është arbitrare po është miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim dhe detyrohet nga një nen që është vendosur në rregullore nga deputetët e PS-së. Pasi pati kritika se u veprua me shpejtësi në 2008-ën deputetët socialistë si një reflektim i këtyre kritikave sollën këtë nen që përcakton afatin kushtetues. Neni dikton procesin kushtetues i cili është procesi më serioz që ka një parlament dhe ndryshimi është i përcaktuar në rregullore. Neni i ardhur nga PS-ja pas përfundimit të raportit brenda 2 ose 3 javëve duhet të votohet dhe kjo ka korresponduar me datën 6 gusht”, u shpreh Berisha.
Kryeministri zbuloi dhe një detaj gjatë takimit të tij me Ramën në procesin e bisedimeve për presidentin për të dëshmuar se Rama ndryshe nga ç’thotë publikisht, nuk është penduar për ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.
“Në takimin që kisha me zotin Rama në parlament, nuk dua të nxjerr konfidencialitetet, por më tha se nuk ishte i penduar - e kuptoni para meje ulet si Haxhi Pishmani. Për një nga reformat më të mëdha të jetës së tij dhe të jetës sime, ai kishte deklaruar disa herë se ishte ngutur dhe ndjehej pak i turpëruar për deklaratën që kishte bërë dhe më tha se nuk ishte i penduar. Një ditë je i penduar dhe një ditë jo, si ta kuptoj këtë!”, tha kryeministri.
Kreu i mazhorancës solli dhe një herë diferencën nga draftet e paraqitura me atë konsensual që PS e miratoi në Këshillin e legjislacionit në parim, nen për nen, por sikundër u shpreh ai, urdhri i Edi Ramës i ndaloi të ngrinin dorën për atë që njihet si votim në tërësi.
Berisha përsëriti bindjen e tij se ky proces mbahet peng nga ata që ai i quan, klubi i miliarderëve të PS-së. “Pas seancës së dëgjimit, historik për parlamentin shqiptar, përfaqësuesit e të dy grupeve të mëdha u ulën bashkë, punuan ditë me radhë dhe shumica bëri një pas një, të gjitha lëshimet, duke përfillur të gjitha kërkesat e Partisë Socialiste. Natyrisht, ne ishim për projektin e parë si më i miri, më i thelli, më i ploti. Por nuk mund të themi se ishte vetëm ai që i përgjigjej problemit dhe nuk kishte rrugë të tjera. Gjykuam të përfillim të gjitha sugjerimet e PS-së, që, për hir të së vërtetës, shumë prej tyre dolën edhe nga faktorë të tjerë, gjatë seancës së dëgjimit. Të dy palët bënë një punë të përgjegjshme. Për të faktuar në mënyrë absolute se janë 3-4 vetë që mbajnë peng imunitetin, njerëzve, të cilët autorizoi zoti Rama dhe u kërkoi të mbrojnë 1,2, 3, 4, a 5 kërkesa, me besimin se ne nuk do t’i pranonim sugjerimet dhe sipas tij, do t’i bllokonim ato, pasi ne i pranuam të gjitha dhe pasi ata i votuan në parim, i votuan nen për nen, u dërgoi sms me ultimatumin se nuk i qëndronin më. Ju them të vërtetën nuk u çudita. I dërgova një mesazher zotit Xhafaj se e kishte kot, se nuk do ta lejonte. E mori apo jo mesazhin nuk e di, por e vërteta është se zoti Rama nuk i lejoi, njësoj sikur të thoshte ju jeni aty, por nuk jeni. Ata votuan nen për nen, nuk kishin asnjë vërejtje se i kishin shkruar vetë, votuan edhe në parim dhe më pas nuk ishin, sepse nuk ishte Sadriu, nuk ishte Toma, nuk ishte Fideli dhe nënkryetari në hije i asaj partie, që de facto është më shumë se nënkryetar. Pra, një situatë jashtëzakonisht e pakuptimtë”, theksoi Berisha.
Duke vlerësuar punën e të dyja palëve për hartimin e draftit konsensual, kryeministri tha se në këtë pikë të procesit nuk mund të pranohen argumentet e pakuptimta që përdor opozita.
“Argumentet që përdor janë Kushtetuta e pakicës, për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës. Nuk ka koncept më fatal në demokraci! Dhe kur nuk e mbron dot këtë koncept, sepse është i pambrojtshëm, thotë se korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti. Atëherë si luftohet, duke mbajtur murin e imunitetit?! I bëj thirrje të mos përdorë preudoargumente, të mos keqpërdoret nga tre - katër vetë në partinë e tij, sepse jam i bindur se shumica e deputetëve të Partisë Socialiste - jam i bindur, jo se unë kam fakte - nuk mund t’i imagjinoj se janë kundër heqjes së imunitetit për qeverinë dhe qeveritarët. Nuk ka qytetar me parti apo pa parti, që nuk do të donte që qeveritarët, gjykatësit, zyrtarët e tij të lartë të mos ishin të barabartë me të, para ligjit. Unë nuk po i dal në mbrojtje as zotit Majko, as zotit Xhafaj, por t’i mandatosh e më pas t’i asgjësosh politikisht në mes të punës, një drejtues nuk mund ta bëjë këtë. Një drejtues përballet me pasojat e aktit. Votuan herën e parë, votuan herën e dytë dhe u kërkoi të tërhiqeshin në votimin e tretë”, tha kryeministri, duke i kujtuar Edi Ramës se po hyn në librin e rekordeve Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do kryeministrin e tij me imunitet.
“Unë e ftoj zotin Rama të votojmë kufizimin e imunitetit, përndryshe do të hyjë në librin Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do kryeministrin e tij me imunitet. Do t’u thotë socialisteve se Sali Berisha do ketë imunitet?! Zoti Rama nuk e ka hallin tek Sali Berisha, as tek ministrat, por tek klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste. Në qoftë se zoti Rama mendon se nuk lehtësohet lufta kundër korrupsioni duke hequr imunitetin, harron se me Kushtetutën e pakicës e çon vendin në greminë. Nuk ka diskutim që një gjykatës, para se të marrë një vendim të padrejtë kundrejt pasurimit të tij të paligjshëm, në rast se është pa imunitet mendohet tre herë. Nuk ka dyshim se një ministër a zyrtar, kushdo qoftë ai, para se të përdorë pushtetin për pasurim të paligjshëm, mendohet tre herë. Nuk ka diskutim që organi i akuzës, me gjithë të metat që ka, në rast se nuk do të ketë murin e korrupsionit, do të ketë kurajë disa herë më të madhe për ndjekur e për të bërë ligjin. Nuk ka njeri mbi tokë, përveç zotit Rama, që thotë se heqja e imunitetit nuk ndihmon luftën kundër korrupsionit. Tani, në vend të heqjes së imunitetit, ofron votimin me 3/5-at”, tha ai.
Drafti që pret votën e socialistëve, në tërësi është ai që merr parasysh vetë prozimet e tyre. Demokratët tërhoqën 90 për qind të nismës së tyre, ndonëse besonin se ishte më e thella, por ranë dakord me sugjerimet e PS dhe të të pranishmëve në seancë dëgjimore se edhe drafti i opozitës i përgjigjej problematikës.