E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana e nis çlirimin me biznese të reja dhe me projektet për Bulevardin e ri dhe Lumin e Tiranës

26-07-2012 / Gazeta 55

Bilanci një-vjeçar i Lulzim Bashës në krye të bashkisë së Tiranës ka si shifër domethënëse regjistrimin e mijëra bizneseve të reja, ndërkohë që progresi shihet qartë edhe në çuarjen përpara të projekteve madhore, si hipotekimi i apartamenteve, zgjatimi i Bulevardit të madh si dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës
Basha: “Në një vit progres i qartë - s’do të reshtim për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë”

Rritja e cilësisë së jetës, hipotekimi i banesave, rritja e punësimit, ulja e taksave dhe favorizimi i biznesit janë vetëm disa nga arritjet që Kryebashkiaku Lulzim Basha ka radhitur gjatë analizës së punës së tij për një vit në krye të Tiranës. Në një komunikim me mediat, Kryebashkiaku Basha ka theksuar se në harkun kohor të një viti, falë reduktimit dhe heqjes së 60 taksave dhe tarifave vendore, hapjes së sportelit unik për lejet dhe licencat, përmirësimin e  klimës për biznes, është bërë e mundur që nga 1 gushti i vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të regjistrohen 1202 biznese më shumë se sa në periudhën gusht 2010 - korrik 2011. Në një vit, në Tiranë janë punësuar 6091 persona.
Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka përfituar një fond prej 700 mijë euro nga BE, për të mbështetur biznesin e vogël, çka do të nxisë edhe më tej shtimin e vendeve të reja të punës.
“Ndryshimi nuk vjen brenda ditës por progresi është i qartë. Së bashku kemi arritur shumë, por dhe më shumë punë na presin dhe ditët më të mira të Tiranës janë përpara, sepse puna nuk ka përfunduar dhe ne nuk do të rreshtim së punuari, për ta bërë Tiranën, një qytet më të mirë për të jetuar, punuar dhe shijuar jetën”, tha Basha. 
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka folur edhe për procesin e hipotekimit. Bashkia e Tiranës ka përfunduar detyrimet e saj dhe ka përcjellë për në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, 5781 apartamente, me përfitues direkt rreth 24 mijë qytetarë. Në proces janë dhe 97 objekte, nga të cilat 32 ose 1820 drejt përfundimit dhe 65 me shkelje teknike, të cilat do të trajtohen sipas memorandumit të nënshkruar, me qeverinë, përkatësisht me Ministrinë e Transportit dhe të Drejtësisë.
“Ndonëse, procesi ka pasur vështirësitë e veta, ne kemi ecur përpara, u kemi dhënë mbi 24 mijë qytetarëve, tapitë apo lejet e përdorimit dhe nuk do të pushojmë derisa çdo qytetar të ketë në dorë tapinë e banesës, pavarësisht nëse ka qenë apo jo pre apo viktimë e veprimeve të paligjshme të ndërtuesve dhe zhvilluesve”, u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Për herë të parë pas 20 vjetësh, Tirana ka një plan të përgjithshëm rregullues. Hartimi i tij u bë në harkun kohor të 10 muajve, nga specialistët më të mirë të fushës. Brenda një viti është zgjedhur projekti fitues për Bulevardin e ri dhe Lumin e Tiranës. Në nëntor do të jetë gati projekti teknik nga studioja britanike “Grimshaw”. Po kështu, në bashkëpunim me BERZH po avancon realizimi i projektit për Terminalin Multimodal të Pasagjerëve, ndërsa po punohet për modelin e financimit, Trami, interesi për të cilin nga kompani prestigjoze nga e mbarë bota, është mjaft i madh.
Gjatë këtij viti është hartuar projekti për Unazën e Madhe, segmenti nga shkolla Teknologjike deri tek qendra “Kristal”, i cili do të tenderohet këto ditë, projekti për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, i cili po zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.  Është drejt përfundimit projekti për sistemimin e shtratit të Lanës, deri në urën e Shkozës, ndërtimi i së cilës do të bëhet nga qeveria shqiptare.  Ka nisur puna për parkimin e parë nëntokësor në Tiranë, në sheshin “Italia”.
Është ndërhyrë për mirëmbajtje dhe janë riparuar 180 rrugë, të cilat ishin tërësisht të amortizuara. Kanë përfunduar projektet dhe kanë përfunduar ose janë në fazë tenderimesh, rikualifikimi urban i 13 blloqeve urbane, ndërtimi dhe rikonstruksioni i 47 rrugëve, 2 urave , 15 shkollave, 14 kopshteve dhe 7 çerdheve, 3 sistem - kanalizime.
Të gjithë këto projekte nisin nga zbatimi brenda këtij viti. Aktualisht po punohet në rrethrrotullimin e Doganës. Brenda këtij muaji, nisin punimet për rrugën e Brrylit dhe ndërtimin e 6 rrugëve të reja në kryeqytet.
Në Tiranë do të sigurohet menaxhimi i trafikut dhe përmirësimi i sigurisë rrugore, i cili parashikon ndërhyrjen në 60 semaforë dhe vendosjen e 9 semaforëve të rinj, 6 pajisje VMS (Tabela Informacioni në rrugë me Informacione të ndryshueshme), 23 kamera për vrojtim ditë e natë. I gjithë sistemi do të menaxhohet nga  Dhoma e Qendrës Operacionale e Kontrollit, e cila parashikohet në projektin i cili është duke u zbatuar.
Ashtu siç premtoi Kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale, Bashkia mori përgjegjësitë e saj, për sa i përket Ujësjellësit të Tiranës, duke marrë në administrim aksionet e saj. Në një kohë të shkurtër, përfundoi Ujësjellësi te “Kodra e Priftit”, ku 40 mijë banorë furnizohen me ujë të pijshëm si dhe Ujësjellësi i Kodër – Kamzës, i cili garanton ujë për 25 mijë banorë si dhe ka nisur puna për ujësjellësin, tek Njësia 4 dhe 8.
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ishte një tjetër premtim që u kthye në realitet, që në muajt e parë. Kjo Agjenci dhe Task Forca e ngritur nga Kryetari i Bashkisë, në fund të vitit të shkuar, bëri që qytetarët e Tiranës të mos përjetojnë fenomenin e shëmtuar të abuzimit me çmimet, në prag të festave.
Një nga iniciativat e para, me impakt të madh tek qytetarët e Tiranës, ishte hapja e sheshit “Skënderbej”, vetëm 4 muaj pas marrjes së detyrës nga Basha. Hapja e sheshit “Skënderbej”, ku janë mbjellë 800 pemë, ka çliruar trafikun dhe ka ulur me 30 për qind ndotjen. Dy hapësira të gjelbra i janë shtuar kryeqytetit, lulishtja pas Pallatit të Kulturës dhe tek “Don Bosko”. 
Në kryeqytet janë mbjellë 3850 pemë dhe deri në fund të vitit, numri i tyre do të shkojë 10 mijë. Rehabilitimi i Parkut të Liqenit është një tjetër prioritet, i cili po avancon. Në hapësirën e Parkut, u mbollën 640 pemë të reja, po bëhet gati me ndërhyrjen e ujësjellësit, riparimi i portës, që ka mbetur e hapur, që nga përmbytja e vitit 2002, rregullimi i kolektorit dhe rivendosja e komunikimit ujor për furnizim me ujë, nga liqeni i Farkës.  Deri në fund të vitit, do të mbillen 3000 fidanë të rinj.
Në Tiranë janë hapur 10 pika për aplikimin on-line për Kartën Bashkiake të Studentit, njëra në Bashki, 5 nëpër universitetet publike dhe 4 në fakultete. Shumë shpejt, përfitues të Kartës, do të jenë dhe studentët e universiteteve private.
Qytetarët janë bërë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në Bashkinë e Tiranës, si për buxhetin, projektin e bulevardit dhe lumit të Tiranës dhe së shpejti do të jenë pjesë e konsultimit dhe vendimmarrjes, për Planin e Përgjithshëm Rregullues. Gjatë një viti 66,594 qytetarë/subjekte i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës, për të marrë informacione, kryer aplikime, etj; 814 qytetarë janë takuar vetëm me Kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë kërkesat e tyre janë trajtuar nga drejtoritë përkatëse.
Në faqen e Bashkisë është programi “Rregulloj qytetin tim”, ku qytetarët mund të denoncojnë çdo problem që kanë në zonën e tyre të banimit. Brenda muajit gusht, në faqen e Bashkisë do të ketë një portal të veçantë, të quajtur e-pjesëmarrje.  Në këtë portal, qytetarët do të japin mendimet, sugjerimet, të bëjnë pyetje dhe komente, duke nisur me Planin Urbanistik me pas me buxhetin e çdo iniciativë tjetër të Bashkisë. 
“Gjithçka që kemi arritur në këtë vit të parë, e kemi arritur sepse qytetarëve u është rikthyer besimi tek ky qytet, besimi tek vetja e tyre, besimi tek e ardhmja. Kjo, pasi ne provuam se çfarë mund të arrijmë, nëse lëmë mënjanë trumpetat e konfliktit politik dhe punojmë së bashku, për të arritur atë që dëshiron çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, moshës, origjinës apo statusit social”, tha Basha. 
Kryebashkiaku Lulzim Basha, ju përgjigj më pas edhe interesimit të gazetarëve.

Nëse do të bëni një listim të arritjeve tuaja si Kryebashkiak, përgjatë një viti, cilën do vendosnit në krye dhe përse?
Po më kërkoni të veçoj një nga ato që preka këtu. Në rendin e fjalës sime zgjodha jo  pa qëllim të listoj, çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me shanset për punësim në qytetin tonë. Kjo ka qenë në mënyrë konstante përqasja që unë kam pasur, sa i përket risisë së Bashkisë së Tiranës dhe impaktit që kjo Bashki duhet të ketë, në zhvillimin ekonomik të qytetit. Ky është prioriteti im kryesor si kryetar bashkie dhe ky është metri kryesor me të cilin unë mas performancën time, të Bashkisë së Tiranës dhe me të cilën besoj se matem edhe nga qytetarët. Kjo nuk do të thotë se dy aspektet e tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, në të gjithë kompleksitetin e tyre (mjedisit, infrastrukturës rrugore, ujore, kanalizimet, infrastrukturës sociale, shkollat, çerdhet, gjelbërimin) nuk janë të rëndësishme. Janë po aq të rëndësishme dhe kjo është arsyeja se pse unë e kam të vështirë të ndaj të parën nga e dyta, nga e treta. Ky është një prezantim i të gjithë prioriteteve por prioritet mbi prioritetet mbetet zhvillimi ekonomik, bërja e Tiranës, një qytet konkurrues, në rrafshin ekonomik, ulja e kostos së biznesit, e çdo kostoje administrative, të transportit, e çdo kostoje tjetër, me qëllim krijimin e vendeve të punës për qytetarët e Tiranës e në veçanti për rininë e Tiranës.

A keni ju premtime të pa mbajtura nga ato që kishit thënë në fushatë ose gjatë fushatës?
Siç e thashë edhe në fillim të fjalës sime, ndryshimi nuk vjen brenda ditës por progresi është i qartë. Ky është bilanci i vitit tim të parë, jo i mandatit tim të parë. Unë jam plotësisht i bindur dhe kam besim të madh se të gjithë prioritetet dhe premtimet me të cilat unë kam dalë para qytetarëve të Tiranës, do të realizohen. Disa prej tyre janë realizuar, të tjera janë në realizim e sipër, një pjesë e madhe janë në proces të realizimit. Ka edhe prej atyre, puna për të cilat nuk ka nisur akoma. 

Cilat…?
Në raport me premtimet brenda një viti ka pasur vetëm një premtim që ka qenë ai që ka të bëjë me hipotekimet, ku Bashkia ka realizuar plotësisht atë që ka pasur brenda tagrit të vet dhe atë që s’ka pasur brenda tagrit të vet, siç është rasti i kompanive që nuk dorëzojnë dokumentet, edhe kur ne ua kemi bërë më të thjeshtë, ne kemi marrë përgjegjësitë tona, duke vendosur masa represive siç është ajo e shkëputjes së ofrimit të çdo shërbimi, subjekteve private apo individëve, nëse nuk plotësojnë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve. Sigurisht, ne nuk do ndalojmë këtu. Nëse këto subjekte, pavarësisht nga kjo masë, drastike do ta quaja, përsëri vendosin indiferencën ndaj qytetarëve, mbi përgjegjësinë qytetare, ne nuk do ta lemë me kaq, asnjë qytetar i vetëm nuk do të mbetet peng i forcave të tjera, qofshin këta ndërtues apo zhvillues të papërgjegjshëm ao vakume ligjore. Bashkia e Tiranës e ka marrë këtë përgjegjësi, unë e kam marrë këtë përgjegjësi dhe do i qëndroj deri sa çdo banor që e ka blerë apartamentin e tij, në mirëbesim, në një banesë të dhënë me leje nga Bashkia e Tiranës, në 12 apo 20 vitet e kaluara, të ketë në dorë tapinë e hipotekimit.

Me sa mbaj mend premtimi juaj ka qenë dhënia e hipotekave. Deri më tani keni regjistruar dhënie të lejeve të përdorimit apo shfrytëzimit. A keni ju të dhëna, sa hipoteka janë marrë, pasi kjo nuk është kompetencë e juaja, është e Drejtorisë së Hipotekave. Sa hipoteka kanë marrë qytetarët, sa qytetarë e kanë tashmë tapinë e apartamentit të tyre?
Ne ndjekim në mënyrë periodike procesin me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës dhe me zyrën kryesore, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Kryeregjistruesin Qirjako dhe me Ministrin e Drejtësisë, për të parë se si po ecën procesi. Procesi deri tani ka ecur me ritme të kënaqshme, pra nuk kemi një hendek mes lejeve të përdorimit dhe tapive të dhëna. Sigurisht, për momentin ka më shumë leje përdorimi se sa tapi, sepse procesi nis me lejet e përdorimit por problemi nuk qëndron këtu. Nuk ka asnjë farë problemi midis dhënies së lejes së përdorimit dhe marrjes së tapisë. Problemi qëndron te mosangazhimi i një numri subjektesh, për të plotësuar ato pak detyrime që u kemi lënë, nga 32 në 18 dhe problemi qëndron me një kategori të veçantë, ku shkeljet janë të tilla që e bëjnë të pamundur që Bashkia, pa bashkëpunimin e institucioneve të tjera, të ecë përpara. Ky bashkëpunim është vendosur dhe modalitetet e këtij bashkëpunimi do të bëjnë të mundur, që edhe në ato raste, kur leja është ekzekutuar me shkelje të mëdha, banorët të mos penalizohen.

Në fjalën tuaj, folët për një fond special për biznesin. Sa do të jetë ky fond dhe kur do të aktivizohet për përfituesit.
Ky është një nga premtimet që unë kam bërë dhe një nga projektet që unë e konsideroj shumë të rëndësishëm, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit të vogël.  Ne jemi në diskutim me partnerët financiarë për nisjen e këtij fondi. E përmenda si një premtim, të cilit do i qëndroj. Sigurisht në këtë vit të parë nuk mund të bësh gjithçka, por është bërë shumë. Puna do të vazhdojë dhe ky është përtej prioriteteve që u realizuan dhe bënë të mundur krijimin e 1202 bizneseve në Tiranë, më shumë se sa në vitin pararendës dhe punësimin e 6091 personave në Tiranë. Ne do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe kjo është një ndër masat që do të jetë prioritet për periudhën e ardhshme. Sigurisht do të luftojmë të kemi fondin më të madh të mundshëm, pjesërisht do të jetë nga buxheti i Bashkisë, do të shikojmë për një partneritet sa më të frytshëm me bankat komerciale, jo komerciale dhe institucionet e tjera financiare.

Disa nga arritjet e Bashkisë së Tiranës, në një vit
6091 persona u punësuan në një vit, falë lehtësirave fiskale.
1202 biznese janë regjistruar më shumë se gusht 2010-korrik 2011.
700 mijë euro Bashkisë nga BE, për të mbështetur biznesin e vogël.
5781 apartamente ka dërguar Bashkia për hipotekim  me përfitues direkt rreth 24 mijë qytetarë.
1 Plan të Përgjithshëm Rregullues , pjesë e të cilit është Bulevardi i ri dhe lumi i  Tiranës.
65 mijë banorë kanë siguruar furnizimin me ujë falë administrimit të Ujësjellësit nga Bashkia.
3850 pemë janë mbjellë në Kryeqytet dhe është reduktuar ndotja me 30 për qind.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›