Haxhi Qamili për Edvinin: Unë me Myslymin e ti me Dashin, s’po pyesim për Evropin

Nga Baba Dovleti tek Baba Stalini po tentohet të mbahet peng integrimi i Shqipërisë përmes dhunës së paguar nga filosllavët. Shteti foshnjor i 1914-s i tregoi vendin haxhiqamilizmit, ndërkohë që sot s’ka enigma për fundin e çfarëdolloj lëvizjeje haxhiqamiliste e antievropiane
Tani në klubin e ylberistëve të Edvinit është shndërruar thuajse në gjuhë zyrtare planifikimi se si do të shndërrohet në dhunë protesta dyditore e 30 prillit dhe e 1 majit, se si do të justifikohet “marrja e pushtetit me dhunë” dhe se si do të gjenden modelet për këto justifikime.
Afërmendsh se hesapet janë pa hanxhinë, por bën përshtypje dritëshkurtësia e Edi Ramës, Erion Velisë, Spartak Ngjelës e ndonjë tjetri në imitimin e modelit të Haxhi Qamilit. Haxhiqamilizmi si lëvizje politike regresive që kërkonte rikthimin e Baba Dovletit (turkut domethënë) po merret si model jo aq për dhunën, e cila u përdor dhe u verifikua si e dështuar edhe në shtetin e sapolindur shqiptar (imagjinoni në një shtet tashmë 100-vjeçar), por për filozofinë dhe shpirtin antievropian që e ngërthente. Edi Rama ka një lidhje fort familjare me Haxhi Qamilin, jo aq për dashurinë e tij për brekushet, por për afinitetin për familjen Peza. Qysh herët në moshën 17 vjeçare, Myslym Peza shërbente në oborrthin e Haxhi Qamilit dhe Myslymi vetë e ka cituar këtë fakt në disa kujtime të vetat.
Kujtimet normalisht që u shkruan gjatë historisë së gjatë të bashkëjetesës politike të Myslym Pezës me Enver Hoxhën, por tashmë jemi në një fazë të tretë të vatrës së infeksionit antievropian, tek lidhja e Edi Ramës me Dashamir Pezën. Haxhi Qamili me Myslym Pezën e mësimet e Baba Dovletit nuk pyeste për Evropin dhe të njëjtën gjë po thotë sot Edi Rama me Dashin dhe mësimet e Baba Stalinit. Thirrja “s’pyesim për Evropën” përkthehet shpejt e shpejt në merakun se a po u bëhet qejfi antievropianëve? Aty është halli, tek nevoja për të mos e lënë anijen e shqiptarëve që të ankorohet në Perëndim, atje ku bashkëthemeloi me të tjerët atë qytetërim. Vlaga aziatike e Haxhi Qamilit po përpiqet të rigjallërohet në Shekullin XXI me kulaçin që ofron familja Peza dhe me kërbaçin që tentohet të trashëgohet prej Baba Dovletit e Baba Stalinit. Asgjë s’ka lidhje me Shqipërinë e shqiptarët në thirrjet “s’pyesim për Evropën, sa kohë kemi Myslymin e Dashin”.
Kjo kurbë antishqiptare po stërlexohet në prag të këtij 30 prilli, por rasti dhe mesazhi e do të interpretohet edhe se si përfundoi themeluesi shqiptar i thirrjes “S’pyes për Evropin”. Edhe një shtet foshnjor si shteti shqiptar i 1914-s pati ndjesinë natyrale të neutralizonte çibanin që po mundohej të qendronte gjallë nga lindja. Nga Baba Dovleti a Baba Stalini qoftë prejardhja, përfundimi i bartësve të thirrjes “S’pyesim për Evropën” është i qartë. Mbetet veç të shohim se si do ta luajë këtë betejë të humbur, rimishërimi i Haxhi Qamilit në politikën shqiptare të shekullit XXI.