Shqipëria fiton takimin historik të Brukselit

Kryeministri Sali Berisha informon për mirëpritjen e Bashkimit Evropian të ambicies së Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE. “Brukseli ka në dorë librin e të vërtetave, projektin e integrimit të Shqipërisë”, tha kryeministri, duke iu referuar përgjigjeve të pyetësorit, një dokument i hartuar mbi bazën e meritës, për shkak të reformave të thella të ndërmarra gjithë këto vite.
Berisha: “Jam krenar, që pas 18 vitesh, përfaqësoj një Shqipëri të denjë për sfidat e integrimit”
Kryeministri Sali Berisha informoi dje përmes një konference për shtyp, vizitën e tij dy ditore në Bruksel, ku dorëzoi përgjigjet e Pyetësorit të Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë u shpreh se gjeti në Bruksel një ambient shumë mikpritës, teksa institucionet më të rëndësishme të Unionit, shprehën entuziazmin e tyre, për progresin e Shqipërisë në 18 vite pluralizëm politik.
Kryeministri Berisha e cilësoi dorëzimin e Pyetësorit, si momentin më solemn dhe emocional në tërë historinë e kombit, teksa zyrtarët e Brukselit, kishin tashmë në dorë librin e të vërtetave dhe projektin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për herë të parë Shqipëria pas 18 vjetësh përfaqësohej denjësisht si një vend i denjë për sfidat e integrimit.
“18 vjet më parë do të vizitoja Brukselin si përfaqësues i një vendi që përjetonte zinë e mjerimit dhe skamjes së thellë. Në 1992, në 5 maj, në vizitën time të parë në PE dhe KE, që nga ajo kohë, kam takuar në mënyrë të përsëritur të gjithë kryetarët e KE, nga Zhak de Lor te Presidenti Barroso, të gjithë kryetarët e PE nga Ego te Buzek,
por vizita e 14- 15 prillit në Bruksel, ishte vizita më e rëndësishme, ishte vizitë historike për mua, shqiptarët dhe Shqipërinë. Në Bruksel unë shkova për të paraqitur librin e 2284 pyetjeve që Komisioni na dorëzoi në vitin 2009. Ishte momenti më solemn, më emocional. Në 14 prill ora 16.00 i dorëzova Komisionerit Fule, librin e përgjigjeve të pyetjes, si libri më voluminoz të shtypur ndonjëherë në historinë e këtij vendi.
Ky vëllim përmban të gjitha të vërtetat e Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 18 vite, përmban të gjitha ligjet, praktikat reformat, mbi të cilat shqiptarët kanë ndërtuar reformat demokratike. Që nga vizita ime e parë, Shqipëria numëronte 80 për qind të forcës së saj punëtore, të papunë, të ardhurat për frymë ishin vetëm 204 dollarë, rroga mesatare 6 dollarë. Rezerva valutore e vendit në total, 1.5 milion dollarë. Në vizitën time të parë në Bruksel, mund të thuhet pa e ekzagjeruar, se në disa aspekte, vendi ndodhej shekuj larg vendeve anëtare të BE-së. Udhëtimi 18-vjeçar i Shqipërisë, nuk ka qenë një udhëtim i lehët, ai ka qenë një udhëtim i vështirë, me mundime e sakrifica, por i sigurt, i suksesshëm. Kolegët e mi kryesues të qeverive të vendeve të BE-së, e cilësuan këtë udhëtim, si një mrekulli të vërtetë. Por, pas 18 vjetësh përfaqësova në Bruksel një vend anëtare të NATO-s, anëtarë të Këshillit të Evropës, një vend që ka nënshkruar MSA-në. Përfaqësoja një vend, i cili zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme, disponon institucionet e shtetit ligjor, funksional, një vend me një ekonomi tregu funksionale, e cila i rezistoi cunamit financiar ekonomiko botëror dhe kjo jo se ekonomia shqiptare nuk ishte pjesë e ekonomisë globale, por e kundërta është e vërtetë. Ekonomia shqiptare është e vendosur me parimet më të drejta, me bazat më solide të një ekonomie tregu.
Përfaqësova vendin që në mirëqenie kishte lënë pas 180 vende, një vend ku rroga mesatare ishte rritur së paku 70 herë, të ardhurat për frymë mbi 30 herë. Përfaqësova një vend me infrastrukturën më moderne në rajon. Një vend që kishte arkivuar një Shqipëri të viti 92 dhe kishte krijuar një ekonomie krejt tjetër. Fule u shpreh se ky libër është libri më modern në historinë moderne të Shqipërisë. Ai deklaroi se Komisioni do ta shqyrtojë Pyetësorin me vëmendjen më të madhe. Ai premtoi mbështetje të plotë në procesin e integrimit të Shqipërisë. Falënderova Komisionerin dhe për klimën e shkëlqyer të marrëdhënieve me Komisionin Evropian. Garantova Komisionerin se autoritetet tona mbeten të hapura për të gjitha shpjegimet, vërejtjet e zyrtarëve të Komisionit gjatë shqyrtimit të këtij libri, i cili është libri i të vërtetave të kombit, për të ndërtuar një shoqëri të lirë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke ju referuar deklaratave të personaliteteve më të larta të KE-së, Berisha vlerësoi angazhimin e Komisionerit Fule për shqyrtimin me vëmendje të përgjigjeve të pyetjeve nga autoritetet shqiptare.
Kryeministri u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve:
Ku thoni se jeni të angazhuar në ligjet dhe kushtetuta. Oferta e deritanishme nuk është pranuar. Do keni në ofertë të re? ç’rol do të ketë Fatos Nano?
Në të gjitha takimet e mia njoha bashkëbiseduesit e mi me të gjitha ofertat që ka bërë mazhoranca dhe ën respekt me kushtetutën jam i gatshëm për transparencën. Sërish, unë ftoj z. Rama, të shqyrtojë ofertën time, të shqyrtojë ofertën tjetër e cila ka të bëjë me të gjitha rekomandimet e OSBE, me të drejtë të opozitës, pasi të ketë marrë një opinionin nga Komisioni i Venecias apo ODIHR-i. Në këtë kontekst, mendoj se ka një hapësirë të gjerë për të arritur në mirëkuptimin dhe zgjidhjen e problemit.
Unë nuk diskutova me z. Nano për një ndërhyrje direkte të tij. Ai është shprehur si anti-bojkot. Fakti që z.Nano është lideri historik i së majtës është shumë i vërtetë. Ky moment historik për vendin, e bëri të nevojshme që ta njihja z. Nano me rezultatet e vendit. negociatat për MSA-në u hapën pas një marrëveshje që me z. Nano arritëm në vitin 2002 dhe bëmë të mundur që Romano Prodi, të vinte në Shqipëri. Marrëveshjet që kam bërë me z. Nano i kanë shërbyer projektit të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Unë nuk mundem që kundërshtitë të më pengojnë mua të bëj gjërat kryesore. Për çështjet që u diskutuan aty patën mirëkuptim. 90 për qind e shqiptarëve mbështetin integrimin në BE. çfarë do tu thotë Rama atyre socialistëve që pranojnë integrimit, ndërsa ai nuk pranon të zerë vendin në Parlament? Kjo është detyrë e tij.
Komisioneri Fule tha se do të japë statusin kandidat para vitit 2010. çfarë do të bëhet që situata politike të mos ndikojë në formulimin e opinionit?
Fule bëri të qartë se vlerësimi për përgjigjet e dhëna nga autoritetet shqiptare nuk ka lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme, por është një proces i shkëputur prej tyre. Natyrisht që ka një rol edhe situata politike. Ne do të shqyrtojmë të gjitha arsyet për kalimin e këtij ngërçi.
çdo të thotë transparencë evropiane?
Hapësira është e plotë dhe totale. Nëse opozita është e interesuar të bëjë transparencën, institucionet demokratike të këtij vendi, kushtetuta, shteti ligjor, kanë të gjitha procedura, jo vetëm për të hapur kutitë e votimit, por edhe kasafortat më sekrete të këtij shteti. E rëndësishme është t’i përmbahesh kushtetutës dhe rregullave të shtetit ligjor. Pra, është një hapësirë e pakufizuar, por e kodifikuar në ligjet e vendit.
Sa objektive janë datat e përcaktuara nga ministri i Jashtëm italian, Frattini, për liberalizimin e vizave?
Datat janë pjesa objektive e axhendave të institucioneve të Bashkimit Evropian. Secila nga ato institucione ka rregullat e takimeve, të rendit të ditës. Pra, sa mirë do akordohen këto, nuk mund ta them, por mund të them me siguri të plotë se qëndrimi është tërësisht pozitiv. Ne garantuam përkushtimin tonë, për të gjitha arritjet në këtë fushë, për të plotësuar çdo kërkesë. Unë garantoj edhe njëherë se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, vendimi do të merret.
Kur do ta mblidhni Këshillin Kombëtar?
Shumë shpejt do të njoftoj edhe datën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ndonëse forumet me statut funksionojnë deri në zgjedhjen e forumeve të reja. Për datat, do t’u informoj sapo ta kem përcaktuar.
Në fjalimin e tij në Kongresin e PS-së Edi Rama ka përdorur tekste nga Fan Noli deri te mosbindja civile. Cili është komenti juaj?
Të recitosh Fan Nolin me slogane të haxhiqamilizmit, është zgjedhje mjerane. E rëndësishme është që opozita të ketë të gjitha hapësirat për të protestuar, por në një shtet ligjor, mosbindja clvile merr ndëshkimin ligjor. Protestat e saj opozita, le t’i shtrijë sa të dojë. Ky është një vend demokratik. Detyrë e mazhorancës është të garantojë zhvillimin e protestave.
Opozita ka akuzuar qeverinë se ekonomia e vendit është në rrënim dhe se të ardhurat kanë pësuar rënie...
Kjo ka të bëjë me një platformë në perceptimin invers të realitetit. E them me shumë keqardhje. Pse e them këtë? Treguesit ekonomikë të Shqipërisë dhe të çdo vendi që është në marrëdhënie kontraktuale me BE, apo në bashkëpunim me FMN-në në bazë të artikullit të 4, gjëja e parë është se të gjithë treguesit janë transparentë. Të vesh në dyshim të dhënat e eksportit, të cilat mund të ti japë qoftë edhe doganieri më i thjeshtë, do të thotë të perceptosh në mënyrë inverse realitetin. Të flasësh për krizë kur të ardhurat e 3 mujorit të parë të 2010-ës janë dyfishuar, është një sharlatanizëm mjeran. Sa është eksporti i energjisë elektrike, sa janë të ardhurat fiskale, sa janë të ardhurat doganore. Qëndrimi i opozitës më ngjason si luftëra e Sanços dhe Don Kishotit me mullinjtë e erës.
Kryeministri zbulon detajet e takimit me liderin historik të PS-së
“Me Fatos Nanon kam nënshkruar marrëveshjet politike për kauzën europiane të Shqipërisë”
Kryeministri Sali Berisha shpjegoi edhe takimin me Fatos Nanon gjatë qëndrimit disa orësh në Vjenë. Berisha vlerësoi se Nano është lideri historik i së majtës shqiptare dhe nisur nga kontributi që ka dhënë në drejtim të integrimit të vendit, meritonte të informohej për stadin nëpër të cilin po ecën Shqipëria dhe aspirata për anëtarësimin në familjen e vlerave evropiane.
“Në Vjenë, në një moment historik për vendin tim, do të ftoja liderin historik të së majtës shqiptare, për një takim i cili, kishte disa arsye: së pari, respekti im për kundërshtarin mbetet konstant, por dua të thekson këtu se nuk mund të anashkaloja Nanon pa e takuar në këtë moment historik për vendin. Nano, pavarësisht se ku ndodhet, ka meritat e tij, të cilat askush nuk ia mohon. Nano, mori drejtimin e PPSH dhe e shndërroi atë në një parti që zgjodhi kryetarin duke nisur edhe nga anëtarët e thjeshtë siç ishte ai. E anëtarësoi atë në internacionalen socialiste. Të gjithë marrëveshjet që kam nënshkruar me të i kanë shërbyer kauzës evropiane të Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se Nano mbart edhe një standard shembullor në politikën shqiptare, teksa në 2005-ën mbajti premtimin para socialistëve shqiptarë, për të dhënë dorëheqjen nga PS-ja në rast të humbjes së Zgjedhjeve.
“Dua të theksoj se në 2005-ën, Nano i qëndroi premtimit që i kishte dhënë anëtarëve të tij, për të dhënë dorëheqjen, duke vendosur kështu një standard të shkëlqyer në politikën shqiptare. Duke takuar Fatos Nanon, kam shprehur një respekt për të majtën dhe kontributin e saj në të gjitha proceset e integrimit të vendit, ndaj dhe dua të bëj transparencën e këtij takimi, i cili zhvillohej në një darkë, 20 vjet pas darkës së përbashkët në Trieste. Besoj se me këtë unë lëshova edhe kureshtjen e fundit që kishte mbetur pa plotësuar”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.
Për ngërçin e socialistëve
“Zgjidhje kushtetuese të situatës politike, jemi të gatshëm për transparencë evropiane”
Kryeministri Sali Berisha fton edhe njëherë opozitën shqiptare, për ti dhënë fund ngërçit politik, në kushtet kur vendit i duhet të përgatitet për stadet e mëtejshme të integrimit. Berisha theksoi se në takimin me Komisionerin e Zgjerimit, Fule, është prekur domosdoshmërish situata politike në Shqipëri. Sipas kryeministrit, Fule u ndal
te kriteret e Kopenhagenit, ato politike, të cilat janë bazike për një vend që kërkon të integrohet.
“Qëndrimi i opozitës ndaj parlamentit ishte një çështje që u diskutua. Duke dëshmuar mirëkuptim për kërkesën e Këshillit Evropian, për funksionimin e parlamentit, e njoha komisionarin por veprimtarinë e parlamentit dhe e garantova Komisionerin Fule për një bashkëpunim të gjerë të mazhorancës. Institucionet kushtetuese të Shqipërisë, dispononojnë të gjitha format ligjore për të bërë transparencën. Në të gjitha rastet, u theksua se çështja duhet të shtyhet përpara, duke respektuar plotësisht kushtetutën me transparencën e formës evropiane”, u shpreh kryeministri.
Shefi i ekzekutivit tha se ka marrë nga Brukseli vendosmërinë e institucioneve të Bashkimit Evropian, për çuarjen përpara të reformave dhe mbështetjen e progresit në fushat më të rëndësishme të vendit.
BE kërkon rikthimin e opozitës në Kuvend
“Diskutova me Barroso për qëndrimin e opozitës. Vendi i opozitës është në parlament. Garantova atë për çdo zgjidhje në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtetues. Barroso, u shpreh i bindur se qeveria e këtij vendi dhe kryeministri, do të bëjë gjithçka të mundur për të zgjidhur ngërçin. Vlerësoi përpjekje e Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E ftova Barroso të vizitojë Shqipërinë dhe më premtoi një vizitë të shpejtë në vendin tonë”, u shpreh më tej Kryemasitri Sali Berisha.
Liberalizimi i vizave, Kryeministri rikonfirmon
Liberalizimi i vizave, brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës”
“Paraqita kërkesën e Shqipërisë për heqjen e vizave në të gjitha takimet e zhvilluara me Komisionerin Stefan Fule, Presidentin e Bashkimit Europin Van Rompuy, më atë të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso dhe Presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek. Kërkova një vlerësim në bazë të performancës dhe pa ndere”.
Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.
“Në takimin me Komisionerin Fule një vëmendje zuri çështja e vizave. Në 14 prill, Komisioneri Fule më garantoi se vlerëson përparimin e Shqipërisë në vlerësimin e kritereve dhe se kjo është rruga sigurt për realizimin e heqjes së vizave dhe se vetë ai kishte një vlerësim të madh në këtë fushë. Ministri i Basha takoi në të njëjtën ditë Komisioneren Malmstrom, e cila shprehu të njëjtin vlerësim. Në datën 15 zhvillova takime me Presidentin e Këshillit Evropian, Van Rompuy, të KE, Barroso, të PE, Jerzy Buzek. Dua të falënderoj, për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore që më rezervuan. Në takimin me Barroso, paraqita të gjitha reformat e ndërmarra nga Shqipëria në plotësimin e kushteve për integrimin e vendit. Rezultatet e prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Përpjekjet e mëdha që po bëj për të bashkëpunuar me opozitën shqiptare, për tu dhënë përgjigje ligjore kërkesave të saj. Paraqita kërkesën e Shqipërisë për heqjen e vizave. Pikëpamja ime është që Shqipëria të vlerësohet mbi bazën e performancës. Jo se Shqipëria nuk ka nevojë për ndere dhe farove. Ka nevojë, por këto favore duhet të jenë në drejtim të ndërtimit të idealit të Shqipërisë Evropiane. Edhe në takimin me Presidentin e Bashkimit Evropian, Rompey, mora garanci për sfidat e Shqipërisë drejt integrimit. Në takimin me presidentin e PE, Buzek, ai shprehu përgëzimin më të madh për suksesin e Shqipërisë në reforma. E njoha Presidentin e PE, me veprimtarinë intensive të parlamentit shqiptare në mbështetje të reformave. E garantova atë për ti dhënë zgjidhje problemit me opozitën në përputhje të plotë me ligjet dhe kushtetutën. E njoha me reformat ekonomike. Luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kërkova angazhimin e PE, për mbështetje në rrugën e Shqipërisë drejt liberalizimit të vizave”, informoi më tej, Kryeministri Berisha.
Në përfundim kryeministri Berisha shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë zyrtarët e Bashkimit Evropian, për mbështetjen e plotë që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Thirrja e Berishës për “transparencë europiane”, tmerrohet Edvini
Vendosmëria e kryeministrit Sali Berisha për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, kërkesë kjo e ekzagjeruar nga ana e opozitës shqiptare, duket se ka rikthyer panikun në strofkullën e Edi Ramës, teksa ka reaguar mbrëmë, duke anashkaluar tematikën e debatit. Me anë të tellallit të tij, Eduart Shalsi, Rama u mor përsëri me sulme të drejtpërdrejta ndaj kabinetit qeveritar dhe kryeministrit të vendit, duke injoruar kështu një angazhim institucional të kreut të qeverisë dhe duke hedhur poshtë kërkesën e artikuluar nga vetë opozita për zbardhjen e procesit elektoral të 28 qershorit.
Nisur nga kjo sjellje tendencioze dhe e qëllimtë, opozita po tregon para opinionit publik në përgjithësi dhe socialistëve të thjeshtë në veçanti, se nuk ka asnjë interes për transparencën e zgjedhjeve, por thjesht e vetëm hartimin e thirrjeve demagoge dhe në kundërshtim me frymën e progresit të Shqipërisë.