Haxhinasto- Zepos: Shqipëria dhe Greqia do konkretizojnë edhe më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë
Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto takon sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Yannis-Alexis Zepos
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot në një takim sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Yannis-Alexis Zepos. Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për zhvillimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë. Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë nga mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim. Ai përcolli gjithashtu ftesën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Greke, z. S. Lambrinidis, për z. E. Haxhinasto, për të vizituar Athinën. Më tej, z. Zepos vlerësoi kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe u shpreh se ata janë një urë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Z. Haxhinasto theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Ai tha se me vullnetin dhe angazhimin e përbashkët që ekziston, do të realizojmë progres dhe hapa konkrete në gjithë çështjet që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet me Greqinë janë substanciale,- u shpreh Ministri Haxhinasto dhe perceptimi publik për to duhet të reflektojë këtë substancë. Duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, z. Haxhinasto tha se shpreson që opinioni i Komisionit Evropian të bazohet në zhvillimet pozitive në parlamentin shqiptar.
...