E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: PS të tregohet bashkëpunuese në Kuvend, luhen fatet e vendit

07-09-2011 / Gazeta 55

Kreu i PDS-së, Paskal Milo del hapur kundër bojkotit 2 vjeçar të Partisë Socialiste, duke u shprehur se ka ardhur koha që parlamenti t’i kthehet funksionalitetit si dhe të miratohen ligjet dhe reformat e kërkuara. Milo shprehet se opozita duhet të japë kontributin e saj në Kuvend dhe për këtë s’duhet të mbajë qëndrime të njëanshme politike, pasi i gjithë aksioni parlamentar, bëhet për plotësimin e kursit të reformave, me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE. “Partia Socialiste bëri mirë që u kthye në Kuvend, pasi opozita duhet të japë kontributin e saj, në miratimin e një numri projektligjesh që tashmë presin dhe që duhet të shënojnë një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit Evropian të Shqipërisë”- u shpreh Milo. Kreu i PDS-së, tregohet konstruktiv kur thotë se Partia Socialiste duhet të dëshmojë rol aktiv në proceset integruese të Shqipërisë, pasi sipas tij nëse ka vullnet politik atëherë gjërat do përmirësohen. Më tej, Milo i referohet edhe tryezës së opozitës, ku informoi se në këtë takim është biseduar për reformën zgjedhore dhe për nevojën e gjithë përfshirjes në hartimin e draftit të ri. “Të gjendet ose të bëhet një paketë reformash që të ketë vulën e sa më shumë aktorëve politik, me qëllim që të përgatitet vendi jo vetëm për të plotësuar 12 standardet që kërkon Bashkimi Evropian, por për ta përgatitur vendin me një infrastrukturë zgjedhore që të shkojmë në 2013-ën të sigurt që do të bëjmë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të barabartë”- tha ai.
Kreu i PDS-së komentoi edhe mungesën e Gjinushit dhe Dules në tryezën e opozitës. Sipas tij, dy krerët e partive opozitare, refuzuan tryezën për arsye objektive. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›