E Shtunë, 31 Tetor 2026

“ACR”: Të hënën nis puna në minierën e Bulqizës

Kompania “ACR”, ka njoftuar se ditën e hënë më datë 12 shtator, ora 7:00, do të fillojë puna në minierën e Bulqizës. Nëpërmjet një deklarte për shtyp, “ACR” thekson se nuk mund të mbetet peng i një grupi njerëzish dhe se përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta.
 

“Për të mirën e përbashkët të kompanisë dhe minatorëve të Bulqizës ACR pranoi të ulej në bisedime edhe me drejtuesit e sindikatës, të cilët janë krijuesit e kësaj situate të vështirë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ACR, asnjë marrëveshje nuk është realizuar me krerët e sindikatave. Ashtu si dyshohej, lidershipi i sindikatave ka treguar edhe njëherë mos dashjen e pa arsyeshme për zgjidhjen e situatës. Në këto kushte ACR ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurieresh është konsumuar”, thuhet në njoftimin e “ACR”-së.

Po ashtu, kjo kompani fton the gjithë minatorët të kthehen në minierë ditën e hënë, ku thekson se punonjësit e ACR-së, të cilët nuk do të paraqiten në pozicionet e tyre përkatëse do të konsiderohen që nuk dëshirojnë të punojnë në këtë kompani.
 

“ACR”, gjithashtu nënvizon se personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë, duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e kësaj kompanie në Bulqizë”, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale. “Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me modifikimet; paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme, e drejta për t`u informuar për planet e investimeve në minierë”, bënë të ditur “ACR”. Për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, “ACR”, do t`u paguaj minatorëve rrogën e 13-të brenda javës së ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›