E Hënë, 2 Nëntor 2026

Haxhinasto: Do të luftojmë për 12 mandate të sigurta në parlamentin e ardhshëm

Kur mbeten më pak se 50 ditë nga zgjedhjet për parlamentin e ri, mes radhëve të opozitës ka besim se ka ardhur koha për një rotacion pas 12 vitesh qeverisje socialiste.

Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, këtë vit do të garojë në listë të mbyllur në qarkun e Elbasanit si pjesë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Në një intervistë në RTSH 24, kandidati i Partisë së Lirisë tregoi çfarë i dallon këto zgjedhje nga të kaluarat.

“Pas 12 vitesh qeverisje tashmë mazhoranca aktuale është ezauruar prej kohësh. Kjo ka pasur një pasojë të prekshme, shumë të dhimbshme për vendin, që është largimi i më shumë se 700–800 mijë shqiptarëve. Kemi kapje të shtetit nga mazhoranca. Ekzekutivi kontrollon gjithçka. Edhe në aspektin ekonomik kemi një përkeqësim të treguesve, një rënie të produktivitetit, të eksporteve, ndërsa më e rënda është që burimet e rritjes së ekonomisë në të ardhmen janë në pikëpyetje,” u shpreh z. Haxhinasto.

Aleanca për Shqipërinë Madhështore kryesohet nga Partia Demokratike, me të cilën Partia e Lirisë, dikur Lëvizja Socialiste për Integrim, ka ndarë dikasteret më të rëndësishme në vend mbi një dekadë e gjysmë më parë. Në zgjedhjet e 2009-ës, LSI-ja fitoi 4 mandate dhe mori rolin e një “kingmaker-i”.

Por a shihet aleanca me PD-në tanimë si një bashkim vlerash apo një nevojë elektorale?

“Mendoj që janë të dyja. Prioritetet, kauzat e mëdha të Partisë së Lirisë janë tashmë të integruara në programin e koalicionit. Kjo vjen nga vlerësimi i njëjtë që kemi për situatën në vend dhe çfarë duhet ndryshuar që të ecim përpara dhe të zgjidhen problemet akute që ka vendi.

Mendoj se LSI-ja ka pasur një set objektivash madhore në atë kohë, kryesisht në funksion të integrimit të vendit. Ndërkohë Partia e Lirisë ka theksuar në kauzat e saj zgjidhjet e problematikave shumë akute që ka vendi. Jo më kot kemi vendosur në krye të kauzave tona ndalimin e shpopullimit të vendit. Më tej akoma, për të mbështetur një sektor shumë jetik të ekonomisë sonë, siç është bujqësia. Ajo është edhe në funksion të sektorëve të tjerë, si turizmi. Çfarë do i shërbente kohezionit social është rritja e pagave dhe e pensioneve, por do të veçoja arsimin, i cili përgatit rininë me dijet dhe shprehitë e nevojshme për të qenë ata në krye të ndryshimit dhe transformimit të vendit,” deklaroi z. Haxhinasto.

Në vitin 2009, LSI-ja fitoi 4 mandate, të cilat duket se do i ketë të sigurta pas 11 majit falë vendosjes në listat e mbyllura. Ndërkohë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është në listë të hapur në Tiranë dhe po e ndjek virtualisht betejën politike për shkak të izolimit nga çështjet gjyqësore ndaj tij.

“Ne jemi duke luftuar që të marrim edhe mandatet edhe për kandidatët që janë në listë të hapur. Kështu që ne do të luftojmë për 12 mandate të sigurta në parlamentin e ardhshëm. Në krye të përpjekjes sonë është mandati i presidentit Ilir Meta, prandaj pa përjashtim të gjithë kandidatët kanë një angazhim shumë serioz në Tiranë dhe kam kënaqësinë të shoh entuziazmin dhe motivimin nga akti shumë i lartë politik dhe civil i z. Meta, i cili nuk pranoi të qëndronte në listën e mbyllur, për të treguar se është njeri i sfidave, që beson te konkurrimi i hapur. Ai ka luftuar gjithmonë për listat e hapura, që në vitin 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese dhe u fut në grevë urie për të kundërshtuar mbylljen e listave dhe kthimin e partive në parti të kryetarit,” tha z. Haxhinasto.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›