E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Lëreni Shushicën të rrjedhë”, ministrja gjermane apelon për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Vjosës

“Shqipëria duhet të vijojë të bëjë më shumë për mjedisin dhe për të mbrojtur vendimet e marra prej saj”. Sugjerimi ka ardhur nga ministrja gjermane e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Natyrës, Steffi Lemke (lex. Shtefi) dhe i referohet në radhë të parë Parkut Kombëtar të Vjosës.

Në një vizitë disaditore në Shqipëri, ajo u ndal për të parë nga afër projektet e mbrojtjes së Parkut dhe sipas saj nuk mjafton vetëm shpallja park kombëtar, por tashmë duhet më shumë punë për ruajtjen e tij.

“Më duhet vetëm ta uroj Shqipërinë për këtë vendim që mori, e konsideroj një vendim mjaft pozitiv. Pata mundësinë këtë herë të vizitoj Vjosën për të dytën herë dhe mund të them se është një sistem natyror unik. Pata mundësinë të vizitoj edhe Shushicën, një tjetër sistem i mrekullueshëm natyror që kemi atje. Popullata atje jeton në harmoni me këtë sistem ujor, me këtë sistem lumor, të bën të lumtur të shohësh gjithë atë dhe vendosja e së gjithës nën mbrojtje dhe moslejimi i ndërhyrjeve të mëdha njerëzorë ndaj këtij sistemi është një vendim mjaft i mirë.

E kisha parë dhe vizituar Shushicën edhe në vitin 2019-të, një peizazh i mrekullueshëm dhe popullsia atje jeton në harmoni me sistemin lumor, prandaj është një sfidë shumë e madhe nga njëra anë mbrojtja e kësaj natyre dhe nga ana tjetër të sigurohet furnizimi me ujë të pijshëm i popullatës në Himarë.

Ndaj shpresoj shumë se qeveria shqiptare do të gjejë një zgjidhje kompromisi për të siguruar ruajtjen e interesave të palëve, por edhe për të garantuar për dekada të tjera rrjedhjen e Lumit Shushica. Ky sistem lumor nuk mund të ekzistojë pa ujin prandaj shpresoj që qeveria shqiptare do ja dalë ta zgjidhë këtë sfidë shumë të madhe”, tha zonja Lemke.

Ministrja gjermane njoftoi edhe ndihmën konkrete të qeverisë së saj në vlerën 3 milionë euro nëpërmjet një projekti që nis në shtator të këtij viti dhe që do të ndihmojë Parkun Kombëtar të Vjosës të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.

Gazetar: Noljan Lole

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›