E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto-Fule: Përmbushni 12 prioritetet e KE

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto është takuar sot me Komisionerin për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Fule. Gjatë takimit Komisioneri Füle dhe Ministri Haxhinasto diskutuan për zhvillimet e fundit të proçesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Komisioneri Füle komentoi hapat pozitivë të muajve të fundit, sidomos forcimin e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës në kuadër të reformave institucionale. Gjatë takimit ai nënvizoi: “Një dialog politik konstruktiv do të bëjë të mundur që Shqipëria të japë rezultate konkrete për zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të kaluar, veçanërisht përsa i përket reformës zgjedhore dhe reformës së rregullores së proçedurave parlamentare. Shqipëria duhet ta çojë më tej përparimin e bërë për përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit, duke theksuar në mënyrë të veçantë krijimin e një historiku të besueshëm në fushën e sundimit të ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit.”
Duke përsëritur angazhimin e Komisionit Evropian dhe mbështetjen e plotë të këtyre përpjekjeve, Komisioneri Füle ftoi Shqipërinë të përqendrohet në reformat gjithëpërfshirëse të cilat janë të nevojshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian. Ai përfundoi: “Unë do të doja të theksoja edhe një herë se, që të ketë sukses në agjendën e BE-së, për një vend është e rëndësishme që kjo të kthehet ne një axhendë kombëtare, për qeverinë, për opozitën dhe për shoqërinë civile. Një proçes i vërtetë dhe gjithëpërfshirës është çelësi për suksesin e Shqipërisë në përpjekjen e saj reformuese.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›