Alibeaj raporton hetimin për Spahiun: Mbajti peng KLD-në

Deputeti i Partisë demokratike Enkeled Alibeaj në pozicionin e Kryetarit të Komisionit hetimor parlamentar për nisjen e procedurave të shkarkimit të zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka lexuar në seancën parlamentare raportin e punës së këtij komisioni. Alibeaj tha se janë dokumentuar 30 veprimtari në të cilat Spahiu shfaqet si folës i Aleancës Kuq e Zi duke kundërshtuar Censusin, ka kërkuar bashkimin e trojeve shqiptare, për hapje konsullate në manastir, aksion kundër sulltanëve të rinj, program politik të Aleancës Kuq e Zi, etj.
“Në analizë u mor çështja e aktivitetit me ngjyrim diplomatik. Ai herë pas herë përmes mjeteve të informimit publik ka drejtuar letra të hapura për zyrtarë të vendeve të tjera. Ai është shfaqur në këtë kontekst në mënyrë problematike sipas ligjit pasi nuk ka kompetencë për veprimtari diplomatike me jashtë. Është e qartë qëndrimi okult i tij në këtë marrëdhënie”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, Spahiu ka trajtuar në prononcimet për mediat çëshjen e ndryshimit të kombësisë. “Në kundërshtim me hierarkinë e tij shtetërore e ka përdorur politikisht këtë çështje me doza hipokrizie dhe populizmi. Ai instrumentalizoi dhe adaptoi si pjesë të lëvizjes së tij politike edhe gjyqësorin. Duket qartë se gjithçka është luajtur me ndjenjat e shoqërisë duke instrumentalizuar pushtetin gjyqësor për motive egoiste individuale. Një tjetër çështje është ajo e censusit. Me të padrejtë e duke shtrembëruar atë çka parashikonte ligji u mundua ta paraqiste si proces që kishte të bënte vetëm me regjistrimin e popullsisë. Pavarësisht se në një shoqëri demokratike kushdo ka lirinë të shprehet dhe veprojë lirshëm në rastin e nënkryetarit të KLD-së burojnë nga ndalimet ligjore dhe kushtetuese”, theksoi Alibeaj.
Po kështu sipas Alibeaj Zv.kryetari i KLD-së ka përdorur sjellje antidemokratike duke keqpërdorur petkun si zyrtar shtetëror. “Ka injektuar në publik një përmbajtje të rreme të ligjit duke mashtruar publikun. Ka shpërdorur postin e zyrtarit të lartë të shtetit. Ai është sjellë tej ndalimeve ligjore”, tha Alibeaj.
Ligjvënësi i mazhorancës nënvizoi se në mosrespektim të plotë të ligjit, Spahiu publikisht ka sulmuar një ligj dhe punën e veprimtarinë e Kuvendit si organ përfaqësues.
Zoti Spahiu, sipas Alibeajt ka trajtuar çështjen e Shqipërisë etnike duke idealizuar edhe ata që artikulojnë këto ide. “Shteti shqiptar dhe i gjithë rajoni është përfshirë në një ideologji krejtësisht të ndryshme nga ajo që pretendon nënkryetari i KLD-së. Ideologjia thotë se aspiratat e të gjithëve plotësohen në një hapësirë që nuk njeh kufij, ndarje etnike apo racore. Për këtë politikë të jashtme është vlerësuar ky vend në rrafshin ndërkombëtar”, tha Alibeaj sipas të cilit Spahiu devijoi nga detyra e tij kushtetuese.
Kreshnik Spahiu ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdorur kompetencat e menaxhimit financiar të institucionit që drejtonte.
Sipas komisionit Kreshnik Spahiu është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur pa njoftuar organet Kushtetuese me të cilat lidhet ushtrimi i detyrës së tij.