Haxhinasto: Negociatat për projektin e gazsjellësit TAP janë drejt fundit
METE, seminar për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri
Negociatat për projektin e gazsjellësit TAP është drejt fundit. Marrëveshja ka progresuar dhe pritet finalizimi i suksesshëm i saj. Numri një i ekonomisë shqiptare, Edmond Haxhinasto konfirmoi se ky projekt është shumë afër nisjes së tij.
Deklaratat e ministrit Haxhinasto u bënë në hapje të seminarit për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të lartë të konsorciumit TAP, përfaqësues të kompanisë SOCAR, dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të këtij projekti madhor.
Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, njëherësh ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka kërkuar mbështetje për furnizimin me gaz në Shqipëri nëpërmjet TAP-it.
Sipas tij, duhet financim për lidhjen e objekteve drejt një rrjeti kombëtar, ndërsa duhet një diskutim edhe për angazhimet e qarta të TAP në realizimin e Master Planit.
“Është me rëndësi jetike që angazhimet të përcaktohen në dokumente ligjorë dhe të detyrueshëm”, shtoi Haxhinasto.
Përfaqësues të projektit TAP u shprehen gjatë takimit, se ky projekt do të çojë në gazifikimin e Shqipërisë.
“Ne jemi këtu sot sepse ne kemi një objektiv të përbashkët dhe ky është implementimi me sukses i projektit TAP në Shqipëri. Kjo do të sjellë shumë përfitime për vendin, duke përfshirë investimet e huaja direkte dhe krijimin e vendeve të punës. Por, përfitimi më sinjifikativ që do të sjellë për vendin është kontributi ynë për gazifikimin e Shqipërisë”, u shpreh Lutz Landwehr, Drejtor Komercial i TAP.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Tiranë, origjinë e konsorciumit që do të realizojë këtë projekt, theksoi se nevojitet mbështetja e të gjitha qeverive, që do të bëhen përfituese nga ky projekt.
“Tashmë jemi në një pikë të rëndësishme të këtij procesi ndaj është shumë e rëndësishme për të gjitha qeveritë dhe kompanitë e përfshira për të mbështetur njëra-tjetrën dhe ne jemi këtu për të afirmuar edhe një herë angazhimet tona dhe mbështetjen tonë për TAP, për zhvillimin e këtij projekti. Projekti TAP do mbështetjen e të gjitha qeverive. Falënderojmë qeverinë shqiptare”, vlerësoi Rahman Mustafajev, ambasador i Azejrbaxhanit në Tiranë.
Sipas ministrit Haxhinasto, një nga pritshmëritë më të mëdha të ministrisë është realizimi i rrjeteve të tjera të gazifikimit në të ardhmen, përmes projektiti TAP.
Gazsjellësi “Trans Adriatik Pipeline” (TAP) është një projekt për transportin e gazit natyral nga rajoni i Lindjes së Mesme, duke ndjekur një rrugë që kalon nëpërmjet Detit Adriatik. Projekti është publikuar që në vitin 2003 nga kompania zvicerane e energjisë EGL, ndërsa studimi i fizibilitetit për projektin ka përfunduar në vitin 2006.
I cilësuar si korridori i gazit TAP vjen si një burim i ri furnizimi gazi për Europën nga Lindja e Mesme, duke ulur në këtë mënyrë ndjeshëm varësinë nga Rusia. Projekti TAP do të sjellë gazin natyror nga kufiri greko-turk drejt Shqipërisë dhe Italisë, si pjesë e një sistemi më të madh të gazit natyror nga rajoni Kaspik, nëpërmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Turqisë, Greqisë e Shqipërisë dhe më në fund del në Itali, në Europë.
Tubacioni TransAdriatik është rreth 800 km i gjatë, ku 200 km do të kalojnë në Shqipëri, duke hyrë në afërsi të Bilishtit, do të kalojë në veri të Korçës, do të zbresë sërish në jug, do të kalojë në disa zona malore dhe do të dalë në Çorovodë. Nga Çorovoda do të kalojë në Berat dhe do të dalë më tej në veri të Fierit, ku tubacioni do të dalë nga territori shqiptar për t’u futur në det dhe do të rrugëtojë drejt Puljas në Itali.