E Diel, 1 Nëntor 2026

“Forcimi i marrëdhënieve politike mes dy vendeve, të rëndësishme dhe në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit”

04-08-2012 / Gazeta 55

Presidenti Bujar Nishani takoi Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Avigdor Lieberman

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Avigdor Lieberman, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të një vizite zyrtare.
Në takim u theksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që kanë në themel prezencën e hershme të komunitetit hebre në Shqipëri dhe kontributin e popullit shqiptar në mbrojtje të këtij komuniteti gjatë periudhës së Holokaustit. 
Presidenti Nishani e vlerësoi hapjen e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë si një moment kulmor në marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike ndërmjet dy vendeve tona, që do të nxisë forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ekzistuese mes dy vendeve tona.
Kreu i Shtetit mbështeti angazhimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit edhe për sa i përket fushës ekonomike dhe investimeve. Presidenti i Republikës e siguroi Lieberman për klimën miqësore ndaj biznesit në vendin tonë duke inkurajuar biznesin dhe investitorët izraelitë që të investojnë në Shqipëri në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Presidenti Nishani shprehu bindjen se forcimi i marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona është i një rëndësie të madhe dhe në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Kryetari i Shtetit e falënderoi Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit për urimet e Presidentit Shimon Peres për marrjen e detyrës, duke i përcjellë nderimet dhe ftesën për ta mirëpritur në Tiranë Presidentin Peres në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve shprehu mirënjohjen për ndihmën që populli shqiptar i ka dhënë popullit hebre në momentet e vështira gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. 
Lieberman shprehu shpresën që marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe popujve të zhvillohen edhe në nivel ekonomik, turizëm dhe shkëmbim kulturor. Zëvendëskryeministri njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit Avigdor Lieberman u ndal edhe në zhvillimet politike në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe shprehu shqetësim për situatën në Siri, në vendet e tjera të rajonit dhe qëndrimet e Iranit për politikën bërthamore, si një kërcënim i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi se shembulli i Izraelit tregon se demokratizimi i vendit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu janë rrugët për zgjidhjen e problemeve në rajonin e Lindjes së Mesme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›