Haxhinasto: Presidenca shqiptare e KiE-së, kontribut konkret në organizatë

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti në takim z. Gérard Stoudmann, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së, i ngarkuar me Zhvillimin Organizativ dhe Reformën e KiE-së.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i mendimeve rreth prioriteteve të kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të KiE-së, si dhe rreth programeve të bashkëpunimit me Zyrën e KiE-së në Tiranë.
Ministri Haxhinasto vlerësoi se, me marrjen e kësaj presidence, vendi ynë do të angazhohet plotësisht për të dhënë një kontribut konkret në veprimtarinë e organizatës, në realizimin e objektivave dhe prioriteteve themelore të saj.
Në vijim, ai vuri theksin në rëndësinë që do t`i kushtojë presidenca shqiptare dimensionit rajonal të integrimit me fokus të veçantë, pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, në vijim të marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel.
Nga ana e tij, z. Stoudmann vlerësoi faktin se marrja e Kryesisë së Komitetit të Ministrave të KiE-së do të shënojë një hap përpara në integrimin e vendit drejt BE-së.
Pas takimit, Haxhinasto dhe Stoudmann dhanë një konferencë për shtyp.
“Kemi përfunduar takimin me Ambasadorin Gerhard Stoudmann, i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës. Ne diskutuam lidhur me përgatitjet për presidencën e ardhshme të Europës, që siç e dini, fillon në Maj të këtij viti. Kemi folur për prioritetet e kësaj presidence, me qëllim që ato të jenë në përputhje të plotë si me presidencën aktuale britanike ashtu dhe me atë të ardhshme.
Sigurisht që Shqipëria në këto prioritete ka futur edhe kontributin e saj të veçantë përsa i takon çështjeve të tolerancës, bashkëjetesës si edhe kontributit të saj të veçantë për rajonin. Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë, hapësirat konkrete, që krijohen për Kosovën që të ndërmarrë hapa në drejtim të anëtarësimit në Këshillin e Europës, sidomos mbas marrëveshjes së arritur në Bruksel me Serbinë për integrimin e Republikës së Kosovës në të gjitha iniciativat dhe organizatat rajonale.
Kemi folur për situatën politike në Shqipëri dhe gjithashtu për prioritetet ku duhet të fokusohet veprimi politik i të gjitha forcave politike në Shqipëri. Por një vëmendje të veçantë në bisedën tonë patën reforma zgjedhore, procedurat parlamentare dhe miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Me z. Stoudmann kemi diskutuar gjithashtu veprimtarinë e zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, një zyrë e cila ofron asistencë teknike në fusha të ndryshme. Kemi diskutuar dhe kemi parë mundësitë që asistenca teknike e kësaj zyre të drejtohet nga programe tashmë të miratuara të asistencës për Shqipërinë, me qëllim që të krijohen sinergji pozitive dhe të realizohen sa më shpejt këto prioritete. Folëm për një bashkëpunim gjithmonë e më të ngushtë në fushën teknike, përsa i takon prioriteteve që Këshilli i Europës dhe Zyra e tij këtu në Shqipëri kanë për të realizuar. Mendoj se takimi ishte shumë i frytshëm dhe do të thoja që shënon edhe një hap të rëndësishëm për përgatitjet tona në lidhje me presidencën e ardhshme të Këshillit të Europës”është shprehur Haxhinasto.
“Këshilli i Europës po pret me padurim dhe mirëpret presidencën e ardhshme të Shqipërisë. Kjo Presidencë është veçanërisht e rëndësishme, jo vetëm sepse është hera e parë që ju merrni presidencën e kësaj organizate, por sepse vjen në një moment kyç dhe pozitiv për rajonin. Kështu që, nëse çdo gjë shkon mirë, Presidenca e Shqipërisë do të krijojë një situatë ku të gjithë aktorët do të dalin të fituar. Këshilli i Europës me ekspertizën e tij në të gjitha fushat, të cilat i diskutuam më parë me Ministrin, ka të bëjë me gadishmërinë për të asistuar, për të kontribuar në integrimin e Shqipërisë në Europë, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë tuaj, me autoritetet e Shqipërisë dhe gjithashtu me Bashkimin Europian” theksoi Stoudmann.