E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi penal, debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament

Pas zhurmës në Komisionin e Ligjeve, debatet për Kodin Penal nuk kanë munguar dhe në parlament, ku maxhoranca dhe opozita janë përplasur ashpër.

Përfaqësuesja e opozitës Vasilika Hysi është shprehur Kryeministri po mban refrenin refrenin se opozita ka bllokuar reformat, duke shtuar se opozita ka votuar Kodin Civil, Ajror dhe Rrugor, madje në Kodin Civil opozita ka bërë disa amendime shumë të rëndësishme, duke përfshirë koncepte të së drejtës ndërkombëtare pa cenuar konceptet e të drejtës tradicionale shqiptare.

Sipas saj ligjvënësit socialistë kanë pasur një detyrim serioz për miratimin e ligjeve bazë që ndikojnë në forcimin e demokracisë, për të luftuar krimin dhe për t`iu përgjigjur problematikave.

“Qeveria nuk ka një vizion të qartë për të bërë një reformë integrale penale, me reforma të bëra në mënyrë të pjesshme nuk mund të ecet. Brenda një harku prej dy vitesh janë paraqitur katër mendime në Kodin Penal, kjo tregon se reforma penale nuk ka një strategji dhe se nuk janë në dijeni se ka ndryshime që ende nuk janë shqyrtuar, kjo e bën urgjent kalimin në një Kod të ri Penal. Ne si opozitë i kushtuam kohë përmirësimit të Kodit si një proces gjithëpërfshirës, me konsulentë. A mund të bllokojmë këto nisma kur opozita ka paraqitur aq shumë amendamente për të mbrojtur qytetarët, për të mbrojtur jetën e njerëzve me ligj, kjo s`ka kuptim”, u shpreh Hysi.

Por nuk ka qenë në një mendje me të mazhoranca , ku Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi u shpreh se, “Edhe kjo nismë duhet të presë deri sa Edi Rama të ndryshojë fjalëkalimin. Është propozuar arrestimi për luftimin e korrupsionit e bazuar mbi konventat kundër korrupsionit por edhe kjo nuk do të miratohet pasi duhet të presim që Edi Rama të ndryshojë paswordin. Fjalëkalimi i kryetarit të PS-së për çdo reformë integruese është bllokim, edhe pse opozita paraqiti 20 amendamente vetëm për një nen, nenet konsultohen diskutohen, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret si mekanizëm bllokues”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›