E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Prioritet sigurimet e emigrantëve

03/02/2012  Shqipëria pritet të marrë në maj kryesimin e radhës në Këshillin e Evropës

Shërbimi diplomatik dhe gradat në fokusin e punës për këtë vit

Shqipëria do të marrë në maj të këtij viti kryesimin e presidencës së Këshillit të Europës. Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto në bilancin vjetor të vitit 2011 dhe objektivat e reja për 2012 tregoi paskuintat e diplomacisë shqiptare për vitin që lamë pas dhe të rejat për këtë vit. Ministri Haxhinasto bëri me dije se këtë vit do të vazhdohet intensivisht projekti për njohjen e kontributeve shoqërore të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në vendet jashtë Shqipërisë. "Shërbimet ndaj shqiptarëve jashtë vendit janë një prioritet absolut i politikës sonë të jashtme dhe i diplomacisë sonë. Dhënia e pasaportave biometrike në Itali e Greqi ka ndikuar në afrimin dhe përmasimin e ndjeshëm të shërbimit ndaj këtyre komuniteteve. Vazhdon puna për njohjen e plotë të kontributeve që këto komunitete emigratore kanë dhënë në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe për këtë kemi realizuar dhe marrëveshje dypalëshe me institucionet shqiptare", - tha ministri Haxhinasto. “Bashkëpunimi me Këshillin e Evropës përveç aktivitetit të zakonshëm në gjirin e kësaj organizate në çështjet e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, ku Shqipëria ka një rekord mjaft pozitiv, viti 2011 është shënuar edhe për përgatitjet për marrjen e kryesimit të Komitetit të Ministrave të kësaj organizate për periudhën maj-nëntor 2012. Është hera e parë që Shqipëria kryeson një organizatë të tillë. OKB-ja mbetet platforma më e rëndësishme gjithëpërfshirëse e diplomacisë shumëpalëshe dhe roli i Shqipërisë atje ka tendencë të qartë rritjeje. Prioritet tashmë përben avancimi i kandidaturave shqiptare në organizmat e saj, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe në Këshillin e Sigurimit”, - tha më tej ai. Gjatë këtij viti ligji për shërbimin e jashtëm do të pësojë ndryshime. Në fokus të tij do të jenë emërimet në diplomaci, por edhe shpërndarja e diplomatëve në bazë të gradave. “Kemi përgatitur një paketë të rëndësishme amendimesh për ligjin e shërbimit të jashtëm, që synon ta bëjë atë më imun nga politizimi, të konsolidojë sistemin e gradave, të përmirësojë ecurinë në karrierë dhe kualifikimin e vazhdueshëm të diplomatëve e të vendosë një përqasje më të respektuar për diplomatin dhe statusin e tij”, - tha në fjalën e tij ministri i Jashtëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›