E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: SHBA dënojnë bojkotin parlamentar, politika bëhet në institucione

Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, tha dje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë çdo bojkotim të Parlamentit. I sapokthyer nga një vizitë tre ditore zyrtare në SHBA, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, shprehu dhe qëndrimin e SHBA-së ndaj ngërçit politik në Shqipëri. Lidhur me krizën politike në vend, Haxhinasto tha se “qëndrimi i SHBA-së është që në Shqipëri duhet të funksionojë dialogu politik institucional”.
“Ata dënojnë çdo bojkotim të Parlamentit apo realizim të veprimtarisë politike jashtë institucioneve dhe vlerësojnë zgjidhjen e çështjeve të caktuara, nëpërmjet sistemit ligjor të Shqipërisë”, theksoi ministri. Duke e cilësuar takimin e zhvilluar me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, si ngjarjen më të rëndësishme të vizitës së tij, si nga niveli, ashtu dhe nga përmbajtja, ministri Haxhinasto tha se “në këtë takim është riafirmuar edhe një herë ajo që ne e quajmë aleanca strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe u vlerësua se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera”. “Sekretarja Klinton dhe SHBA-ja vlerësuan rolin e jashtëzakonshëm që luan Shqipëria si faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, për marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe integrimit midis vetes dhe BE-së, por veçanërisht për angazhimin në Afganistan”, bëri të ditur Haxhinasto. Ministri nënvizoi se gjatë takimit me znj.Klinton u ra dakord që marrëdhënieve dhe bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve t’i japim një substancë ekonomike. Sipas tij, sekretarja e Shtetit, Klinton, vlerësoi në mënyrë të veçantë progresin dhe arritjet në Shqipëri dhe tha se këto duhet të bëhen të njohura për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Në takimin që pati me sekretaren e Shtetit, ministri shqiptar ka marrë konfirmimin se zonja Klinton do të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen. Dje gjatë konferencës për shtyp, kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi edhe ecurinë e zgjedhjeve që po zhvillohen në Kosovë, që nga fushata parazgjedhore, por edhe tani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›