E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Fletët e votimit të mos digjen, “të ngrijnë”

/* */

“Ne e kemi shprehur opinionin tonë, fletët e votimit duhet të rrinë të ngrira në kushtet e gjetjes së zgjidhjes totale për të filluar hetimin e dokumenteve zgjedhore dhe të mos e mbyllim këtë histori me djegie dhe stërdjegie”, u shpreh Majko. Anëtari i kryesisë socialiste kërkoi që bashkë me zgjedhjet vendore të zhvillohen dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Ngërçi politik që po mbizotëron në vend që prej një viti dhe të cilit qeveria nuk ka vullnet t’i japë zgjidhje, mund të zhbllokohet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të zhvillohen bashkë me zgjedhjet për pushtetin vendor në maj të vitit të ardhshëm”, u shpreh Majko. Dy herë kryeministri socialist ka folur për situatën e përmbytjeve në Shkodër, duke bërë përgjegjëse qeverinë dhe në këtë kuptim e cilësoi të drejtë kërkesën e opozitës për dorëheqjen e saj. “Opozita e ka përsëritur jo një herë, por disa herë, pyetjen ndaj qeverisë “A do të kemi një përsëritje të situatës së vitit të kaluar në Shkodër?”. Përgjigja ka qenë ‘Jo, kemi marrë të gjitha masat’. Përmbytja u ripërsërit”, u shpreh Majko. Socialistët kanë bërë përgjegjëse qeverinë për përmbytjet e ditëve të fundit në Shkodër dhe Lezhë, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Madje, Partia Socialiste ka propozuar një paketë masash financiare që nisin me një rishikim drastik të buxhetit të vitit 2011, duke transferuar të gjitha investimet në infrastrukturë, në investime në funksion të parandalimit të përmbytjeve të ardhshme në të gjitha zonat e vendit. Ish-kryeministër në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko, foli edhe për zgjedhjet e djeshme të jashtëzakonshme. Ndërsa flitet për bisedimet Prishtinë-Beograd, Majko tha se në asnjë rast ato nuk mund të jenë teknike. “Në asnjë rast që mund të ulet shteti i Kosovës në dialog me Serbinë, diskutimet nuk mund të jenë teknike. Do ulen me një shtet i cili politikisht dhe me vendimmarrjen e vet nuk e njeh si shtet i pavarur, që ka humbur me ta një gjyq. Një ndër gjërat më të zakonshme të pritshme është që Serbia të kërkojë të negociojë ato që ka humbur në gjykatë me politikanët e Prishtinës. Në Shqipëri,  nuk është sekret të thuhet se nga 1912 e këtej, ne jemi qeverisur dhe nga politikanë që për arsye pushteti kanë vënë në tavolinë interesat e vendit të tyre. Unë shpresoj që Kosova ta ketë mësim dhe llaf në vesh këtë që sapo thashë”, u shpreh Majko. Sipas tij, është e rëndësishme që pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit të krijohet një qeveri e fortë, pasi asaj do t’i duhet të përballet me marrjen e vendimeve delikate.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›