E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto Shqiperia do dergoje trupa shtese ne Afganistan

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në takimin e Kartës së Adriatikut në Mal të Zi u shpreh se “Shqipëria do dërgojë trupa shtesë në Afganistan”.

Në takimin që u zhvillua në Budva të Malit të Zi, ku ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, mori pjesë për herë të parë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen.

Diskutimet në takim u përqendruan mbi integrimin Euro-Atlantik të Evropës Juglindore si edhe kontributin e vendeve të A5 në operacionin e NATO-s në Afganistan.

Duke përshëndetur arritjet e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinës në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë, Haxhinasto shprehu keqardhjen që Serbia, nuk iu përgjigj ftesës për të marrë pjesë në këtë takim.

Po ashtu, Haxhinasto shprehu kënaqësinë që në takim ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kosovës, duke përcjellë një mesazh të qartë të angazhimit të Kosovës për t’ju bashkuar kësaj iniciative.

“Shqipëria, - tha ministri Haxhinasto, - mbështet vendet e rajonit për t’u bërë pjesë e Aleancës në një kohë sa më të afërt”.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm shprehu angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar kontributin në Afganistan, duke iu bashkuar edhe iniciativës mbi Shkollën e Policisë në Kabul.

Në përfundim të Takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një Deklaratë të Përbashkët, ku vlerësojnë rolin e rëndësishëm që Karta e Adriatikut luan në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe konfirmuan angazhimin që vendet e A-5 të punojnë së bashku për integrimin euro-atlantik të gjithë vendeve të Evropës Juglindore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›