Haxhinasto: Shqipëria mbështet ndërhyrjen për në Libi

Shqipëria do ti bashkohet komunitetit ndërkombëtar në vendosmërinë për të zbatuar Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Libinë. Kështu deklaroi Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në Konferencën për Libinë që u mbajt sot në Londër.
Haxhinasto tha se Shqipëria mbështet krijimin e Grupit të Kontaktit mbi Libinë dhe garantoi për angazhimin e plotë të vendit në këtë kuadër. Po ashtu, ai u shpreh se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është e gatshme që të ofrojë portet dhe aeroportet si dhe hapësirën ajrore dhe ato detare për nevojat e veprimeve ushtarake të Aleancës, apo për qëllime humanitare që kanë të bëjnë me situatën dhe zhvillimet në Libi.
Në këtë konferencë ndërkombëtare të organizuar nga qeveria britanike, morën pjesë: Kryeministri britanik Dejvid Kamerun;Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton; Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun; Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit afër Libisë, përfaqësues të lartë të OKI-t, Ligës Arabe etj.
Konferenca mbi Libinë, konfirmoi angazhimin e plotë të vendeve pjesëmarrëse për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe unitetin kombëtar të Libisë, si dhe miratoi krijimin e Grupit të Kontaktit, si struktura ndërkombëtare që do merret me koordinimin e politikave mbi Libinë.