E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto në Kanada: Investoni në Shqipëri

TIRANË- "Marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Kanadasë duhet të materializohen në bashkëpunim më të fortë ekonomik", tha zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Kanada.

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në takimin me Kryetarin e Senatit, Noel A. Kinsella, Haxhinasto ftoi kompanitë kanadeze të jenë më të pranishme në Shqipëri në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura, turizmi, burimet natyrore, miniera, naftë e gaz.

Bashkëpunimi me Shqipërinë, tha senatori Kinsella, do të sigurojë një mundësi më të madhe që Shqipëria të jetë si porta e Ballkanit, ku mallrat do të shpërndahen më tej nëpërmjet sistemit hekurudhor apo atij rrugor, edhe drejt Lindjes së Mesme e të Largme.
Në takim me kryetarin e Senatit u diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve drejt Kanadasë, për të cilën z. Kinsella dha mbështetjen e tij të plotë, si dhe garancinë se do të punojë në parlament për të mundësuar një gjë të tillë.

Ndërsa, në takimin me kryetarin e Dhomës se Ulët në parlamentin kanadez, Andrew Scheer, biseda u përqendrua në domosdoshmërinë e realizimit të një sërë marrëveshjesh për të krijuar një bazë solide ligjore bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, si vende që gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe vende partnere, jo vetëm në NATO. Bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zhvillimit dhe forcimit të diplomacisë parlamentare si mënyrë efikase për të realizuar objektivat e bashkëpunimit dypalësh.
Haxhinasto u takua edhe me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në parlament, ku morën pjesë deputetë dhe biznesmenë kanadezë. Në takim u diskutua mbi mundësitë që Shqipëria ofron në drejtim të tërheqjes së investimeve kanadeze në Shqipëri.

Në vijim të vizitës së tij në Kanada, Haxhinasto u takua me ministrin e Jashtëm kanadez, John Baird. Duke folur për potencialet turistike që ofron vendi, Haxhinasto tha se është e rëndësishme që të krijojmë mundësitë që operatorët turistike të të dy vendeve të bashkëpunojnë për njohjen e mundësive dhe për lidhje të qëndrueshme në drejtim të shkëmbimeve turistike.

Ministri i Jashtëm kanadez, Baird tha se zhvillimet në fushën ekonomike në Shqipëri janë të dallueshme dhe kjo duhet të shërbejë si bazë që ekspertiza kanadeze në fusha të tilla, si energjia apo minierat, të përdoret edhe në Shqipëri.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›