E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Brenda 3 muajsh, 400 të rinj punësohen në kryeqytet

TIRANE - Bashkia e Tiranës dhe mbi 200 biznese të kryeqytetit kanë nisur që sot një marrëdhënie të re bashkëpunimi, në shërbim të punësimit të të rinjve.

Përmes një marrëveshje të nënshkruar mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka është rënë dakord që brenda 3 muajsh, të punësohen rreth 400 të rinj të sapodiplomuar.

“Mund t’ju them se nga të gjithë marrëveshjet e nënshkruara deri tani, kjo është ndër ato që do ta ndjek me kënaqësi, si prioritet absolut, çdo ditë deri në përfundimin e realizimit të këtij angazhimi madhor. Le ta dinë pra, qytetarët e Tiranës dhe në veçanti të rinjtë, që sot nuk bëjmë thjesht nënshkrimin në një copë letër, por marrim përsipër që brenda një periudhe tre mujore, nëpërmjet biznesit të kryeqytetit të hapim 400 vende pune, për 400 të sapodiplomuar të universiteteve të Tiranës.” – theksoi Kryebashkiaku Basha.

Në marrëveshje sanksionohet bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, përmes ngritjes së një Qendre Trajnimesh dhe Konsultimesh karriere, për të rinjtë e kryeqytetit, qendër e cila do të financohet 50% me fondet publike të Bashkisë së Tiranës dhe 50% me fondet e Dhomës së Tregtisë së Tiranës. Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë janë angazhuar për të ofruar tarifa të reduktuara, për një sërë shërbimesh dhe produktesh.

Basha ka theksuar në këtë takim vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të mbështetur biznesin e kryeqyetit, gjë që është dëshmuar që në ditët e para të kësaj administrate, me rishikimin dhe heqjen e mbi 60 tarifave dhe reduktimin e disa prej taksave ndaj biznesit, me krijimin e Qendrës me një ndalesë për liçencat dhe me vendosjen e standartit prej 55 ditësh, si maksimum për marrjen e një leje ndërtimi, standart i cili do të nisë të zbatohet menjëherë pas miratimit të Planit të ri Urbanistik.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka ka shprehur mirënjohjen ndaj Kryetarit të Bashkisë, për lehtësirat që i ka krijuar sipërmarrjeve të kryeqytetit.

“Realisht është një falenderim që vjen nga ajo çka tashmë biznesi po e provon me shërbimet që po merr në sportelet e Bashkisë dhe në të gjithë ato sportele që Bashkia sot i ofron sipërmarrësve të Tiranës” – u shpreh Jaka

Jaka bëri të ditur se shumë sipërmarrës të kryeqytetit kanë shprehur gatishmërinë për të krijuar lehtësira për studentët, si paketë e Kartës Bashkiake të Studentit, duke ofruar zbritje deri në 30%, për produkte e shërbime që ofrojnë në të gjithë aspektet dhe fushat e shërbimit në Tiranë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›