Haxhinasto niset drejt Vjenës, merr pjesë në sesionin e OSBE

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto niset nesër drejt Vjenës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, që do zhvillohet në datën 14 qershor 2012.
Gjatë këtij takimi, Ministri Haxhinasto, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, do të mbajë një fjalë për delegacionet pjesëmarrëse të Këshillit të Përhershëm, duke parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së.
Gjithashtu, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto pritet të shprehë qëndrimin e tij mbi çështjen e forcimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet KiE-së dhe OSBE-së, si dhe të ndihmës që këto dy organizata mund të ofrojnë për fqinjët dhe partnerët në rajonin e Mesdheut, në drejtim të përballimit me sfidat aktuale dhe afatgjata të tranzicionit të tyre demokratik.
Gjatë qëndrimit në Vjenë, Haxhinasto do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Lamberto Zannier. Më tej, ai do të zhvillojë një takim të veçantë me Zv.Kancelarin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Michael Spindelegger, me të cilin do të trajtojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe.
Zoti Haxhinasto do të marrë pjesë edhe në Koncertin e organizuar nga Misioni ynë në OSBE, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.