Edi Paloka: Partia e Topit, një e qeshur e madhe
Deputeti demokrat, Edi Paloka i cilëson qesharake deklaratat e Bamir Topit, i cili një ditë më parë u shpreh se duke e ngritur në detyrë, e larguan nga PD. Paloka tha se ishte PD ajo që i dha gjithçka një personi që s‘kishte kontribuuar për të
UPDATE- Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratave të presidentit Bamir Topi, i cili gjatë një interviste televizive tha se 5 vjet më parë e kandiduan për këtë post, për ta larguar nga PD. Deputeti demokrat, Edi Paloka i cilësoi qesharake deklaratat e kreut të shtetit, ndërsa theksoi se Zotin Topi Partia Demokratike e gjeti që në fillim pa asnjë kontribut për Partinë Demokratike, e mori dhe e vuri nënkryetar partie, e bëri Kryetar Grupi Parlamentar dhe pastaj President të Republikës. “Dje besoj u zbulua për të gjithë ne dhe sidomos për ju edhe misteri se përse Bamir Topi qenka prishur me Partinë Demokratike dhe me Sali Berishën. Shpesh gazetarët dhe ju këtu keni bërë pyetjen pikërisht për këtë gjë pse u prish Bamir Topi me Partinë Demokratike. Besoj se dje në mënyrë të çuditshme e zbuluam se Bamir Topi qenka prishur me Partinë Demokratike sepse Partia Demokratike e paska kandiduar për President dhe e ka bërë president në mënyrë të dhunshme kundër dëshirë së tij dhe kundër vullnetit të tij. Pra gjithë Partia Demokratike, Sali Berisha, 84 deputet të majtë dhe të djathë që votuan dhe e çuan Bamir Topin në Presidence i paskan bërë një hile të madhe zotit Topi, e kanë detyruar të rrijë me dhunë për 4 vjet në karrigen e Presidentit dhe këtë zoti Topi e zbulon pikërisht pak ditë përpara përfundimit të mandatit të tij. Ky zotëri përveç të tjerave ka pasur frikë edhe të kundërshtojë kandidimin e përdhunshëm që i ka bërë Partia Demokratike dhe vendit të presidentit ku e ka ulur Partia Demokratike. Në katër vjet ky zotëri nuk e gjeti kurrë guximin të tregojë të vërtetën në thonjëza të kandidimit të tij të përdhunshëm dhe me sa duke e thashë në fillim dhe e përsëris ky paska qenë i gjithë misteri i bashkëpunimit të tij me Ramën dhe luftës së tij kundër Partisë Demokratike. Zotin Topi Partia Demokratike e gjeti që në fillim pa asnjë kontribut për Partinë Demokratike, e mori dhe e vuri ministër me sa duket në mënyrë të dhunshme dhe atëherë. E mori e vuri nënkryetar partie, e bëri Kryetar Grupi Parlamentar dhe pastaj President të Republikës dhe të gjitha këto sepse një ditë donte që ta hiqte qafe. Siç u shpreh dje zoti Topi këto deklarata të tij qesharake besoj se nuk kanë më nevojë për komente, por të paktën ju nuk do të pyesni më se pse zoti Topi u prish me Partinë Demokratike dhe me Sali Berishën”- u shpreh Paloka.
Deputeti demokrat komentoi dhe shpalljen e partisë së re nga mbështetësit e Bamir Topit. Për z.Paloka, “partia e re e Topit, është një e qeshur e madhe”.
...