Konflikti te Legalizimet, Memia në detyrë, nuk ka dhënë dorëheqjen
Deri më tani, burimet thonë se në zyrat e administratës, në Kryeministri dhe me gjasë, as në Ministrinë e Transporteve nuk ndodhet ndonjë kërkesë zyrtare e tij për dorëheqje.
TIRANË Dorëheqjet, shkarkimet dhe kthimet sërish në punë janë kthyer në sagë për drejtuesit e lartë të ALUIZNI-t. Pas tentativës së dështuar të Shaban Memisë për të shkarkuar drejtorin e ALUIZNI-t, Tiranë, Ferdinand Shehu, ky i fundit 24 orë më pas
e pa sërish veten në të njëjtën zyrë duke firmosur të njëjtat dokumente ashtu si çdo ditë tjetër pune. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vetë Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Shaban Memia. Edhe pse ky i fundit u shpreh dy javë më parë, në një rreth të ngushtë kolegësh, se kishte dhënë dorëheqjen, Memia vijon të kryejë qetësisht detyrën në krye të ALUIZNI-t dhe të japë shpjegimet e përditshme për grupin e punës, që kryeministri Sali Berisha ngriti plot një muaj më parë me qëllim kontrollin e legalizimeve.
Deri më tani, burimet thonë se në zyrat e administratës, në Kryeministri dhe me gjasë, as në Ministrinë e Transporteve nuk ndodhet ndonjë kërkesë zyrtare e tij për dorëheqje. Por, shtojnë burimet, nëse Memia ka bërë me dije gojarisht tek eprorët se do të japë dorëheqjen, kërkesa e tij deri më tash nuk është pranuar. Në zyrat qendrore të ALUIZNI-t nuk ka një drejtor të komanduar e për pasojë asnjë firmë të deleguar. E gjithë veprimtaria e këtij institucioni vijon të jetë e njëjtë, edhe pse për 24 orë rresht u fol për një dorëheqje të mundshme të tij, të cilën vetë Memia as e pohoi, por as edhe mohoi. Ai nuk bëri asnjë koment për median, as ditën tjetër të qëndrimit 10 minuta në zyrë për të treguar ndoshta publikisht se po jepte dorëheqjen, e as ditët më pas me gjithë këmbënguljen e medias. As nga Kryeministria apo Ministria e Transporteve nuk pati reagim për lajmin e dorëheqjes së Memisë. Ajo që është e vërtetë deri më tash është fakti se të dy drejtuesit e lartë të ALUIZNI-t, si Shehu ashtu edhe Memia, njeri i “shkarkuar” dhe tjetri i “dorëhequr”, vijojnë të qëndrojnë në detyrat përkatëse.
Urdhri për shkarkim
Vetëm pak ditë pasi filloi nga puna grupi i punës për kontrollin e veprimtarisë së ALUIZNI-t, Shaban Memia firmosi urdhrin për shkarkimin e drejtorit të ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu. Përfaqësuesja e ALUIZNI-t, Shpresa Muha deklaroi pak kohë më parë se shkak për shkarkimin e Shehut ishte bërë mungesa e integritetit moral, më saktë fshehja e së kaluarës para vitit 1992, ku sipas dokumenteve, Shehu kishte punuar në hetuesinë e Vlorës dhe këtë informacion ai nuk e kishte depozituar me ardhjen në detyrën e re të kreut të Legalizimeve. Por urdhri i firmosur nga Memia nuk u vu kurrë në zbatim. Vendimi për shkarkim u pezullua nga Këshilli i Ministrave dhe Ferdinand Shehu iu rikthye punës, sa kohë që e gjithë veprimtaria e Agjencisë së Legalizimeve përfshi edhe vetë drejtuesit ishte pjesë e një kontrolli të hollësishëm e të iniciuar me firmën e kryeministrit Sali Berisha. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dorëheqjen e drejtorit të ALUIZNI-t, Shaban Memia. Ky i fundit është njeriu që mban barrën kryesore të procesit të legalizimeve për një periudhë plot gjashtëvjeçare. Në fund të muajit shtator, Berisha firmosi një urdhër të posaçëm për kontrollin e Agjencisë së Legalizimeve, proces ky që nxori në pah një debat të hershëm mes tij dhe drejtorit të ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu. Por, përpos këtyre debateve dhe marrëdhënieve të tendosura mes dy ish-kolegëve, që u shoqëruan herë me shkarkim e herë me dorëheqje, në zyrat e legalizimeve të zonave informale nuk ka lëvizur asgjë.
Nevila Perndoj
Të dhënat për legalizimet
230 mijë aplikime për legalizim
65 mijë prej tyre kanë marrë lejen e legalizimit
28% e personave që kanë aplikuar, kanë marrë lejen e legalizimit
160 mijë qytetarë, ende pa përgjigje