Haxhinasto, tur vizitash në Singapor, Brunei dhe Tajlandë
Zv.kryeministri dhe ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka nisur dje një tur vizitash zyrtare në
Singapor, Brunei dhe Tajlandë.
Vizitat kanë për qëllim zgjerimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me këto vende, vendosjes së kontakteve mes popujve dhe inkurajimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme, bisedimet që do të zhvillojë ministri Haxhinasto me homologët e tij, si dhe takimet me zyrtarët e tjerë më të lartë të këtyre vendeve do të fokusohen në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik, për ti vendosur marrëdhëniet e deritanishme të Republikës së Shqipërisë me këto shtete në një stad të ri, si dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional me to.
Bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse. Duke bërë të njohur performancën e ekonomisë shqiptare, klimën inkurajuese të investimeve për kompanitë e këtyre vendeve, Ministri Haxhinasto do të ndalet në mundësitë e investitorëve të tyre për të investuar sidomos në fushën e infrastrukturës, energjitikës, turizmit etj.
Tre vendet në të cilat Haxhinasto do të zhvillojë vizitat zyrtare nuk e kanë njohur edne pavarësisnë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mundësitë e njohjes së saj nga këto vende, në zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke i njohur gjithashtu me kontributin konkret të shtetit të pavarur të Kosovës dhe institucionet e tij legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon. /G. N.