Berisha: Në Tiranë duhet të ngrihet një muze për genocidin ndaj shqiptarëve
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në çeljen e ekspozitës Për të mos harruar…, në përkujtim të genocidit serb ndaj popullsisë shqiptare 1833-1999. Ekspozita u çel në Muzeun Kombëtar, e organizuar nga bashkia e Tiranës. Berisha e falënderoi disa herw Lulzim Bashwn pwr organizimin e kësaj ekspozite. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i familjes së heroit Adem Jashari, i cili ra bashku me pjesëtarët e familjes së tij, në një qëndresë heroike ndaj forcave serbe, në mars të vitit 1998, të cilin Kryeministri e cilësoi tribun legjendar, i pashembullt në historinë kombëtare. Në tërë historinë tonë, – tha Kryeministri – ne kemi mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra martirë që ranë nga luftërat e Lidhjes së Prizrenit, deri në betejat për liri e të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Por në tërë këtë histori, në krye të altarit të lirisë së këtij kombi qëndron vigan, Adem Jashari.
Kryeministri e konsideroi si një detyrim ndaj brezave ngritjen në Tiranë, të një muzeu që dokumenton sakrificat dhe rezistencën e shqiptarëve ndaj genocidit, në dy shekujt e fundit.
Zoti kryetar, është e domosdoshme që Tirana, kryeqytetin e vendit, të ketë një muze të veçantë për kalvarin e shqiptarëve këto dy shekuj, sepse për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme! Ne flasim dhe njohim disa nga masakrat, por ju garantoj se në çdo territor të këtij vendi që kufizohet me të tjerë kalohet mbi të vdekur, të rënë vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Kjo është mënyra më dinjitoze për të ndërtuar marrëdhëniet e reja me kombet e vendet përreth, për të ecur të sigurt drejt së ardhmes që meritojmë. Ndaj, edhe Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve, në mënyrë që brezat, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë të shohin se cilat ishin sakrificat e paraardhëse të tyre, cila është drita që i udhëheq ata drejt së ardhmes që meritojnë, tha Berisha.
Asnjë komb tjetër, pas kombit hebre, nuk ka njohur genocide, spastrime etnike, krime kundër njerëzimit, siç kanë njohur shqiptarët, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit, deri në fund të shekullit që lamë pas. Por sot, ne jemi të lirë e kjo liri është e tëra e ndërtuar mbi një sakrificë mbinjerëzore, mbi një përpjekje titanike të një kombi të vogël për të mbijetuar, në të drejtën, në tokën, në trojet e tij. Sot, ne jemi të lirë dhe kemi një vështrim të kristaltë drejt të ardhmes sonë. Kemi besim të madh se si komb i lire lamë mbrapa periudhën e përpjekjeve për mbijetesë e ekzistencë dhe kemi hapur kapitullin e ndërtimit të së ardhmes që meritojmë, e një të ardhmeje në liri, në prosperitet, në bashkëpunim dhe miqësi me kombet e tjera të rajonit e të Europës, vijoi kryeministri.