E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu: Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë përpjekjeve për ta shtrembëruar historinë

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Haxhiu e ka cilësuar aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara si “goditje të rëndë” për familjet e të dënuarve, si dhe si një moment të rëndë për Kosovën dhe kombin shqiptar.

“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se vendimi duhet të shihet në kontekstin e historisë së Kosovës dhe të dhunës së ushtruar nga regjimi i Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar”, ka deklaruar ajo.

Kryetarja e Kuvendit ka shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke thënë se ato prej vitesh kanë bartur barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë.

“Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka mbrojtur karakterin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, natyrën e saj.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka theksuar ajo.

Haxhiu ka thënë se respekti për drejtësinë nuk duhet të nënkuptojë heshtje për atë që ajo e cilëson si përpjekje për shtrembërimin e historisë.

“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme”, ka shkruar kryetarja e Kuvendit.

Në fund, ajo ka bërë thirrje për qetësi, dinjitet dhe bashkim, duke thënë se Kosova do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe asaj që e quan të vërtetën e saj.

“Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka përfunduar Haxhiu.

/Kosovapress/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›