Policia: Mjeku i Spitalit Memorial Fier nuk është plagosur, pati konflikt verbal

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Fier reagoi sot lidhur me një lajm të publikuar në rrjete sociale, sipas të cilit është plagosur me mjet prerës (thikë), një mjek në Spitalin Memorial.
Në reagim, DVP Fier sqaron se “menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e spitalit, ku nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se nuk kishte ndodhur plagosje me mjet prerës (thikë)”.
“Shtetasi J. M., mjek i spitalit dhe shtetasi L. B., punonjës i spitalit kanë patur një konflikt verbal në ambientet e spitalit, për të cilin kanë deklaruar se e kanë zgjidhur me mirëkuptim”, sqaron DVP Fier.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier theksoi se “po vijon veprimet procedurale për verifikimin e plotë të rrethanave të rastit”.
/k.s/j.p/r.e/