E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu premton paanshmëri: Kuvendi të funksionojë me dinjitet

PRISHTINË, 11 shkurt /ATSh/ Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përçuar mesazhe të unitetit dhe kompromisit në adresimin e parë pas marrjes së kësaj detyre.

Ajo në foltoren e Kuvendit tha se detyrën e kryeparlamentares do ta ushtrojë me paanshmëri dhe integritet.

“E marr këtë detyrë me vetëdijen e plotë për peshën kushtetuese që ajo bart dhe respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë por edhe me përkushtim të plotë. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës, rendit demokratik dhe besimit publik. Kuvendi është shtëpia politike e qytetarëve… Detyra ime do të jetë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje të plotë me Kushtetutën. Do të sigurohem që secili prej jush të gjejë hapësirën e vet këtu me të njëjtin dinjitet dhe respekt. E di që kemi ardhur këtu me histori dhe qëndrime të ndryshme politike, por sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët që t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri dhe vizion. Pavarësisht se dallimet tona janë reale, përgjegjësitë i kemi të përbashkëta… Ju ftoj që debatet t’i zhvillojmë me argumente dhe dallimet t’i mbajmë brenda respektit të ndërsjellë”, tha ajo.

Haxhiu përmendi edhe procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku tha se pret që ata të kthehen sa më parë në vend.

“Sakrificën e popullit për liri, përfshirë luftën çlirimtare të UÇK-së dhe kontributin e madh të grave dhe burrave që dhanë gjithçka për vendin. Sot pasdite, gjatë tërë ditës kishim seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Historia e popullit shqiptar është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe dihet kush ka bërë krime në vendin tonë. Ato janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë nuk u përball me drejtësinë. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre. Këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë”, përfundoi Haxhiu.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›