E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhiymeri: “Rikthimi i PS-së te protestat, varfëri politike e Edi Ramës”

Opozita brenda PS fillon të fitojë zë e të dalë nga diktatura ku e ka vendosur Edi Rama, pas ndryshimeve të fundit në statut. Deklaratat afrojnë një përçarje finale në radhët e opozitës, me nisjen e sesionit të ri parlamentar

Rikthimi te protestat, e artikuluar nga kryetari i Partisë Socialiste si aksioni politik i vjeshtës, është një mision i dështuar pa nisur ende. Ky është qëndrimi i Sekretares për Shanse të Barabarta në selinë rozë, Edlira Haxhiymeri, e cila thotë se, rindjekja e së njëjtës taktike politike nga lidershipi Rama tregon varfëri politike e mbi të gjitha do të ketë një kosto edhe më të rëndë për Partinë Socialiste.
“Eksperienca e mëparshme e PS dhe e të gjithë mekanizmave të përdorura nga Rama, doli e pasuksesshme, dhe rikthimi tek e njëjta gjë do të jetë sërish dështim. Rama po e përdor partinë për interesa personale. Nuk ka asnjë vendimmarrje për këtë gjë. Kjo tregon varfëri intelektuale, politike dhe kosto të rëndë për PS”, thotë Haxhiymeri.
Nisur nga kjo analizë, Sekretarja për Shanse të Barabarta, shprehet skeptike për një fitore të Partisë Socialiste përballë mazhorancës aktuale qeverisëse në zgjedhjet lokale të 2011-s. Kjo për Haxhiymerin, kushtëzohet nga filozofia që ndjek kryesocialisti Rama në raport me partinë, aleatët dhe elektoratin e majtë.
“Me keqardhje më duhet të them që PS në prag të zgjedhjeve lokale është në krizë, së pari ka problem me elektoratin, i cili s’ka parë të përfaqësuar nevojat për të cilat e votoi, së dyti ka problem të brendshme, pasi janë anashkaluar strukturat e partisë dhe me aleatët, ajo është duke larguar aleatët e saj natyrale të majtë dhe fton individë pa asnjë kontribut, vetëm pse janë pjesë e klubit të kryetarit. Jam skeptike sa i përket fitores në këto zgjedhje”, thotë ajo.
Në këtë logjikë Haxhiymeri thotë se një rikandidim i mundshëm i Ramës në zgjedhjet lokale të 2011 do të thotë, që ky i fundit të heqë dorë nga partia dhe të mbajë premtimin e bërë për bashkimin e së majtës dhe rikthyer socialistët në pushtet.
“është e drejtë e Ramës nëse do të rikandidojë apo jo. Rama duhet të ndajë pozicionet e tij ose të qëndrojë në krye të PS, ose të zgjedhë bashkinë. Po zgjodhi bashkinë të qëndrojë dhe të bëjë detyrën e tij, atë që u premtoi socialistëve në 2007, të bashkojë të majtën dhe të risjellë PS në pushtet”, thotë Haxhiymeri.
Në mungesë të kësaj alternative shprehet Sekretarja për Shanse të Barabarta Haxhiymeri, Partia Socialiste do të futet në një kolaps më të madh me elektoratin e saj dhe rriskon të kthehet në një parti jashtë sistemit, ç’ka do të rriskojë seriozisht rikthimin e së majtës në pushtet përballë demokratëve të Berishës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›