E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java austriake, tinguj në hapësirë



Nga dita e sotme “Java austriake” e këtij viti do të prezantojë një larmi aktivitetesh në Tiranë. Ngjarjet kulturore prekin gjini të ndryshme artistike, si muzikore, vizuale, koncerte, ekspozita etj. Me mbështetje të fondacionit “Ulysses” dhe ambasadës austriake në Tiranë, sonte në mbrëmje do të organizohet eventi “Sounds and Spaces” në audio dhe performancë vizuale. Në këtë aktivitet marrin pjesë instrumentistë si Ernesto Molinari në klarinetë dhe Uwe Dierksen, në trombë. Ata do të luajnë pjesë nga Berio, Jarell, Staud, Dierksen, Molinari, Grisey. Ky aktivitet do të pasohet ditën e enjte me një mbrëmje jazz-i në hotel “Rogner” me të ftuar Ernesto Molinarin dhe Fatos Qerimin. Më pas, të premten “Folia Barocca!” është koncerti vijues ku do të luajnë pjesë nga Fontana, Frescobaldi, Biber, Couperin dhe Corelli. Gjatë gjithë javës mund të vizitohen po ashtu shumë punime të piktores Marie Alice Sorieul. Ndërkohë që koncerti që do të mbyllë këtë varg aktivitetesh, pritet të bëhet në Akademinë e Arteve në Tiranë, në sallën “Black Box” me anë të një prezantimi të punës së bërë gjatë workshop-eve. “Mozaik” është një projekt austriako-shqiptar i cili ka nisur që në vitin 2007. Ky projekt ka si qëllim mbështetjen e artit, kulturës dhe arsimit shqiptar si dhe mbështetjen dhe këshillimin e institucioneve përkatëse në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Ky projekt, i cili do të qarkullojë disa vite me radhë, kërkon të mbështesë pedagogë, studentë dhe nxënës të të gjitha gjinive të artit e të muzikës, si dhe artistë e muzikantë profesionistë, duke i përballur me kërkesat e reja të pedagogjisë dhe artit bashkëkohor. Këto forma të reja pedagogjike, artistike dhe muzikore, të cilat kanë qenë përmbajtja e edicionit të parë dhe të dytë të mozaikut, do të vazhdojnë të përcillen në formë workshop-esh, koncertesh si dhe diskutimesh që organizohen nga ky projekt. Prioritet janë nxënësit dhe studentët, duke qenë gjenerata e re që përballet më këto lloj formash të reja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›