E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hazhinasto: Tekste shkollore për shqiptarët e Preshevës

Ashtu sic ishte njoftuar Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtëm z. Edmond Haxhinasto priti sot në një takim përfaqësues të komunitetit nga Lugina e Preshevës, konkretisht z. Riza Halimi, deputet në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik; Galip Beqiri, kryetar i KNSH dhe Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanovcit.

Në një dalje të tyre për shtyp ministri Haxhinasto e vlerësoi si të frytshëm këtë takim, ndërsa theksoi se në qendër të bisedimeve kanë qenë bashkëpunimi ndërmjet palëve në fusha të ndryshme, kryesisht atë të arsimit ku shtoi se qeveria shqiptare do të dërgojë tekste shkollore, për ciklin e ulët dhe atë të mesëm.
 

“Ishte takim i frytshëm për bashkëpunimet mes institucioneve dhe shqiptarëve të kësaj lugine. Në qendër të diskutimeve patëm festimet e përbashkëta për 100-vjetorin e pavarësisë, diskutime rreth arsimit për përafrim të teksteve, rreth bashkëpunimeve në rrafshin ekonomik. Po kështu do të nënshkruajmë një marrëveshje për të dërguar tekste për ciklin e ulët dhe atë të mesëm, folëm për njohjen e diplomave nga Serbia, si dhe bisedime për cështjen e shqiptarëve atje. Shqiptarët janë faktor kyc dhe kontribut në stabilitetin dhe paqen në rajon. Jam i bindur se kontributi i deputetëve të pranishëm sot do të forcohet, në mënyrë që shqiptarët e Luginës së Preshevë të gëzojnë standarte të larta bashkohore Evropiane”-tha Haxhinasto.
 

Nga ana tjetër deputeti në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik Riza Halimi, u shpreh i kënaqur nga takimi dhe shtoi se është optimist se të gjitha problemet atje do të zgjidhen në sajë të mbështejes së faktorit shqiptar, kryesisht problemet për lëvizjen e lirë.
 

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës theksuan se kanë realizuar takime dhe me përfaqësues të lartë të vendit tonë, si Kryeministrin Berisha dhe Kryeparlamentaren Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›