Rama në Preshevë, përfaqësuesit preshevas në Tiranë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama niset sot për një vizitë në Serbi,ku do të takohet me shqiptarët në Luginën e Preshevës.Vizita e tij është ndër të parat, ku një lider kryesor politik nga Tirana viziton komunitetin shqiptar atje, pas vizitës së ish- zëvendëskryeministrit Ilir Meta në mars të vitit 2010.
Ndonëse pjesë kryesore e axhendës është promovimi i librit “Kurban”, lideri i PS do të takohet dhe me drejtuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë që përfaqësojnë interesat e shqiptarëve. Por ndërsa Edi Rama ka planifikuar takime me drejtuesit e partive shqiptare, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar për një takim që do të mbahet pikërisht me përfaqësuesit e këtij komuniteti nga Lugina e Preshevës në Tiranë këtë të shtunë.
Ministria jonë e Punëve të Jashtme ka konfirmuar praninë e deputetit shqiptar në parlamentin e Serbisë Riza Halimi, kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Galip Beqiri dhe kreun e komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi.
Vizitat e përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës në Tiranë prej kohësh janë procese normale komunikimi mes qeverisë shqiptareve dhe komunitetit shqiptar në Serbi, por përplasja e axhendave këtë herë duket se nuk është e rastësishme për vetë faktin se zhvillohen në të njëjtën ditë.
Pas vizitës në Kosovë, Maqedoni dhe Selanik, kjo është vizita e radhës e kreut të PS-së si pjesë e turit për promovimin e librit “Kurban”.
Vizita më e lartë e një zyrtari shqiptar në Luginën e Preshevës është ajo e vitit 2010 nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.