Serbia të dëshmohet

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian po vazhdojnë t’ia rikujtojnë kushtet Beogradit rreth Kosovës, derisa po afrohet data 9 dhjetor – kur vendet anëtare të BE’së pritet të vendosin rreth kandidaturës së Serbisë.
Pas kërkesës së Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, të enjten në Bruksel i cili ka takuar Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Dacic, që Beogradi të vazhdojë dialogun dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën, një gjë të tillë e ka bërë edhe Presidenti i Bashkimit Europian, Herman van Rompuy.
Ky i fundit ka pritur Presidentin e Serbisë, Boris Tadic, të premten në kryeqytetin evropian, të cilin e ka përgëzuar për përpjekjet që po bën “për të arritur kriteret ekonomike dhe politike për anëtarësim në Bashkimin Europian”.
Rompuy ka përsëritur se Këshilli Europian në takimin e 9 dhjetorit do të shqyrtojë opinionin e Komisionit Europian rreth aplikacionit të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Për këtë edhe ka kërkuar që Serbia të ndërmarrë hapa të mëtejmë për t’u treguar shteteve anëtare se Beogradi është duke u angazhuar në dialogun me Kosovën.
“Duke pasur parasysh së voni edhe rezultatet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, e inkurajova Presidentin Tadic që të marrë hapa të mëtejmë për të siguruar shtetet anëtare të BE’së se Serbia është e angazhuar seriozisht në dialogun me Kosovën dhe se është duke zbatuar në mirëbesim marrëveshjet e arritura deri më tani”, ka thënë Rompuy në një deklaratë për media pas takimit me kreun e shtetit serb.
Ai më pas edhe ka përmendur kërkesën kyçe të BE’së për Serbinë në raport me Kosovën –bashkëpunimin rajonal duke e paralajmëruar se BE do të jetë rigoroze kur të marrë vendimet.
“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë pjesë thelbësore në procesin e zgjerimit. Këshilli Europian do të gjykojë secilin shtet duke u bazuar në meritat e veta si dhe në kushte të drejta dhe rigoroze”, ka thënë Presidenti Rompuy.
Zyrtari i lartë europian ka ritheksuar edhe një herë zotimin europian se BE është e përkushtuar për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor “me qëllimin që të përforcohet paqja, demokracia dhe stabiliteti në Europë”.
Presidenti serb, ndërkaq, nuk ka mundur të thotë nëse Serbia do ta marrë statusin e kandidatit më 9 dhjetor, por ka theksuar se do të luftojë që ta bëjë një gjë të tillë.
“Nëse më pyesni mua, jam optimist i madh, unë vetëm mund të them se jam optimist i madh, por shoh edhe rreziqet në tërë këtë proces. Në këtë moment nuk mund të them se a do ta marrë Serbia statusin e kandidatit më 9 dhjetor, por mund të them se Serbia do të luftojë që ta marrë këtë status, që është shumë i rëndësishëm që më vonë të hapim perspektivën e anëtarësimit të Serbisë në Union”, ka thënë Tadic.
Kreu i shtetit serb ka thënë se nuk duhet dërguar në opinionin serb porosi joreale se Serbia do ta fitojë sigurisht statusin e kandidatit.
“Deri më 9 dhjetor ende ka kohë dhe për këtë duhet që ta kryejmë pjesën tonë të punës. Serbia sigurisht se do të bëjë këtë dhe ne presim që partnerët tanë europianë ta kenë parasysh këtë dhe që secili vend europian individualisht do të ketë qasje konstruktive”, ka thënë ai.
Tadic është shprehur i bindur se Serbia ka bërë mjaftë në dialogun me Kosovën. Ai ka paralajmëruar progres edhe në kërkesën kryesore të BE’së –bashkëpunimin rajonal që nënkupton pjesëmarrjen e Kosovës në forume rajonale.
“Kemi arritur tashmë disa zgjidhje të rëndësishme dhe Qeveria serbe ka filluar zbatimin e këtyre zgjidhjeve. Nga ana tjetër, ne shpresojmë se do të gjejmë zgjidhje për pjesëmarrjen e Prishtinës në forumet rajonale. Serbia në mënyrë konstruktive ka bërë disa propozime në pajtim me Rezolutën 1244. Shpresojmë se mund të gjejmë zgjidhje të tilla”, ka thënë ai.
Presidenti i Serbisë ka thënë se me Van Rompuy ka folur edhe për krizën në veri të Kosovës.
“Kemi folur edhe për atë se disa ushtarë të KFOR’it janë lënduar ditëve të fundit dhe kjo natyrisht se nuk i kontribuon marrjes së statusit të kandidatit dhe dialogut në përgjithësi”, ka thënë Tadic.
Sipas tij, ky është një fakt që po krijon një atmosferë të vështirë.
“ Për këtë arsye është edhe apeli im për serbët në veri të Kosovës, ushtarët e KFOR’it, EULEX’in dhe Prishtinën për përmbajtje maksimale jo vetëm në këto ditë, por edhe në të ardhmen”.
Tadic edhe njëherë ka folur për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro –serb, pa e njohur pavarësinë e Kosovës.
“Besoj se mund të gjejmë një zgjidhje për konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë, nëse kemi një qasje racionale, nëse jemi të gjithë mjaftueshëm të përgjegjshëm dhe nëse me kujdes i shqyrtojmë zgjidhjet e mundshme me të cilat Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e të cilat janë të dobishme për të gjithë, edhe për serbët edhe për shqiptarët edhe për BE’në”, ka thënë ai.