Haziri premton ta nxjerrë Gjilanin nga kriza

Dega e LDK-së në Gjilan ka përmbyllur të dielën konventën e saj programore, në të cilën u bë edhe zyrtarizimi i kandidatit për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, gjë që e bëri kreu i kësaj partie, Isa Mustafa.Lutfi Haziri tha me këtë rast se me ardhjen e LDK-së në pushtet do të largohet krimi i organizuar e korrupsioni. “LDK në Gjilan e Kosovë do të rikthehet fuqishëm atje ku ishte para disa viteve. Kemi bërë gabime në këtë rrugë tonën, por tani është koha që të jemi unik. Ndarja e LDK-së ishte e dhimbshme dhe me pasoja sepse pala e tretë e shfrytëzoi këtë përçarje”, tha Haziri.
Ai tha se programin qeverisës do ta bëjë së bashku me të gjithë aktivistët partiakë, qytetarët e Gjilanit, grupet profesionale. “Do ta nxjerrim Gjilanin nga keqqeverisja sepse Gjilani është zhytur në depresion politik e ekonomik. Dhe krejt kjo falë politikës së keqe dhe agresive që ka treguar Qeveria e Kosovës, madje edhe ndaj partisë së saj në Gjilan”, tha Haziri.
Sipas tij, një hulumtimi ka treguar se në Gjilan 42 % e qytetarëve jetojnë në varfri. Haziri tha se ka shumë fusha ku Gjilani po çalon dhe po rrënohet çdo ditë. “Gjilani është i vetmi rajon në Kosovë ku Qeveria nuk i mirëmban rrugët dhe nuk kujdeset për to, e mos të flasim për investime të reja. Qeveria e ka anashkaluar dhe dënuar Gjilanin dhe tani jemi në pikën zero dhe me shumë borxhe e telashe të mëdha”, shtoi ai.
Si raporton rajonipress, gjatë mbajtjes së konventës, LDK-së në Gjilan iu bashkuan mbi 500 anëtarë, zonja të nderuara, artiste dhe sportiste të komunës së Gjilanit. Sipas komunikatës së degës së LDK-së, në fakt numri i anëtarëve të rinj të kësaj partie në komunën e Gjilanit shkon në 2 000, duke llogaritur edhe të aderuarit e mëhershëm.
Gjithashtu, të dielën, në ditën e dytë të Konventës së LDK-së në Gjilan, komisionet profesionale, në bashkëpunim me qytetarët, kanë bashkëbiseduar për të hartuar programin qeverisës të LDK-së.
Nga ky takim përmbyllës sipas zyrtarëve të LDK-së dolën konkluzione të ndryshme dhe shumë efikase nga të gjitha grupet punuese në fushën e Arsimit, Shëndetësisë, Zhvillimit Ekonomik dhe Agrikulturës, Shërbimeve Publike, Pronës dhe Urbanizmit, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, si dhe në fushën e Kulturës, Rinisë e Sportit./Indeksonline./