Hebrenjtë, emri i një rrugë në qytetin muze të Beratit
Vetëm një vit ka kaluar nga konferenca Hebrenjtë dhe mbrojta e tyre gjatë luftës së dytë botërore në qytetin e Beratit teksa bashkia e këtij qyteti ka vendosur emërtimin e një rruge me emrin Hebrenjtë. Për të inaguruar emërtimin e rrugës, bashkia do të organizojë ditën e sotme edhe ceremoninë në bashkëpunim me Konsullatën e Nderit të Izraelit.
Ndërsa në Galerinë e Arteve do të promovohet libri Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri, përmbledhje studimesh, Tiranë 2008. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Prof. Dr. Neritan Ceka, ambasadorja e Izraelit, Armira Arnon, kryetari i Bashkisë Berat, Fadil Nasufi si edhe një grup studiuesish, autorë të librit Rreth historisë së hebrenjve në Shqipëri. Janë 35 familje beratase, ato që gjatë luftës së dytë botërore strehuan dhe mbrojtën nga ushtria gjermane hebrenjtë e ardhur nga shtetet fqinje, familje që do të jenë të ftuara të marrin pjesë në këtë aktivitet. Në një prononcim për gazetën, kreu i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi tha se vendimi për emërtimin e një rruge me emrin Hebre nuk ka ardhur rastësisht, por është një bashkëpunim shumë vjeçar dhe tregon dashamirësinë që kanë pasur ndër shekuj banorët e këtij qyteti për të respektuar dhe mbrojtur të huajt.