Memia në Korçë: 400 milion dollarë kapital, nuk janë në treg
Kreu i ALUIZNI- it, Shaban Memia ka deklaruar dje në juglindje se 400 milion dollarë kapital nga zonat informale në të gjithë Shqipërinë nuk janë në treg, duke mos i dhënë impaktin e duhur zhvillimit ekonomik të vendit. Gjatë të premtes në Pogradec dhe Korçë janë ndarë gjithsej 150 tapi, ndërkohë që procesi në këtë rajon sipas Memisë ka hyrë në rrugë të mbarë dhe duhet të përfundojë shumë shpejt.
Sipas numrit një të ALUIZNI- it në vend, Shaban Memia, në të gjithë Shqipërinë janë plot 400 milion dollarë kapital, të cilat nuk janë për fat të keq në treg dhe e dëmtojnë ekonominë, ndërsa me këtë proces ndër më të mëdhenjtë dhe seriozët e legalizimeve vendi do të ketë një tjetër impakt edhe në drejtimin ekonomik madje në disa sektorë të rëndësishëm. Me legalizimin e këtij tregu do të shihen shumë shpejt frytet e punës sonë të gjatë dhe të vështirë, ndërsa qytetarët do të jenë tashmë pronarë ashtu si ka ndodhur edhe sot në Pogradec dhe Korçë, është shtrehur Memia. Ndërkaq, edhe ministri i Financave, Ritvan Bode që ka marrë pjesë në shpërndarjen e tapive të para në Korçë ka theksuar se informaliteti i ekonomisë shqiptare dhe i ndërtimeve në mënyrë të veçantë do të marrë fund me këtë proces, ndërsa Korça sipas tij ka ecur me ritme të larta që do të thotë se dhe shpërndarja e tapisë së fundit do të jetë e shpejtë. Duhet theksuar se ALUIZNI në Korçë ka bërë gati plot 550 leje të gatshme të cilët mund të tërhiqen në çdo moment nga qytetarët. Në të gjithë qarkun e Korçës në të katër rrethet e tij janë 10 mijë vetëdeklarime, prej të cilave të gatshme janë aktualisht plot 6400 leje.