E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia mbështet Shqipërinë në BE, përplasen ndërkombëtarët

Topalli takohet me homologun e saj polak
Polonia ka shprehur mbështetjen e saj pa rezerva për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe në BE vetëm dy ditë pas deklaratës së komisionerit për zgjerimin Olli Rehn. Sipas kryeparlamentarit polak, Shqipëria duhet të aplikojë pas zgjedhjeve të qershorit për këtë status. Gjatë një takimi të zhvilluar mes kryetares së kuvendit Jozefina Topalli dhe homologut të saj polak Bronislav Komorovski, ky i fundit deklaroi se Polonia është një mbështetëse e fortë në BE, sidomos e vendeve me të shkuar totalitare. Polonia është për hapjen e dyerve të Bashkimit Europian dhe jo për mbylljen e tyre. Ne mbështesim në mënyrë të veçantë vendet, që kanë pasur një të kaluar të ngjashme me të kaluarën tonë. Polonia e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë pranimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, shpresojmë që Shqipëria në një të ardhme jo të largët, do të jetë njëkohësisht edhe anëtare e BE-së. Në këto përpjekje që po bën Shqipëria për anëtarësim në bllokun e BE-së është e sigurt, që Polonia do të jetë gjithmonë në krah të saj, u shpreh parlamentari polak i cili ka shprehur besimin e tij për faktin që kur të dyja vendet të jenë anëtare të BE-së, të jenë të të njëjtit mendim, që sipas tij bëhet nga përvoja e përbashkët. Sipas tij, vendet që kanë pasur një të kaluar të ngjashme duhet të jenë bashkë në këto struktura të reja për të rifituar kohën e humbur. Përsa i përket kërkesës për anëtarësimin në bllokun europian dua të sjell në vëmendje se çdo parlament i vendeve të Bashkimit Europian shqyrton në mënyrë përkatëse kërkesat për anëtarësim dhe unë po ju them që, nëse Polonia do të kishte një kërkesë të tillë nga Shqipëria, ne do ta firmosnim menjëherë. Por, në BE qëndrimet mbi këtë çështje nuk janë të njëjta. Gjithsesi ju së shpejti do të jeni anëtarë të NATO dhe një shtet anëtar, në këtë strukturë nuk mund të mbetet jashtë Bashkimit Europian, u shpreh Komorovski. Përpos qëndrimit të fortë mbështetës të Polonisë, pas deklaratës së Olli Rehn, që i bën thirrje Shqipërisë të mos aplikojë për statusin kandidat përpara zgjedhjeve duket se mesazhi është kuptuar qartë nga Tirana zyrtare, ndërsa zonja Topalli nuk rikonfimon qëndrimin e qeverisë shqiptare për të aplikuar përpara zgjedhjeve për statusin kandidat. Ne sot jemi 10 ditë larg ditës së shikimit të Shqipërisë në tryezën ku janë gjithë faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe ku Shqipëria pranohet si anëtare me të drejta të plota dhe detyrime në Aleancën e Atlantikut dhe kjo është gara e parë që kemi fituar dhe ne do të fitojmë dhe gara të tjera që kemi përpara në muajt e ardhshëm. Ky vullnet politik ka bërë të mundur që të shfaqen dhe të tregohen në çdo kohë gjithnjë edhe më shumë rezultate të qarta të zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetme dhe të rrisim potencialet tona për të dëshmuar se jemi në gjendje të marrim përsipër obligime për negociatat e anëtarësimit tha Topalli, duke vlerësuar si të rëndësishëm dy momente kryesore, ratifikimi i MSA-së nga të gjitha vendet e BE-së dhe anëtarësimi në NATO. Duke përmendur fjalët e Komorovskit, Topalli theksoi se një vend që bëhet anëtar i Organizatës së Atlantikut të Veriut ka shanse shumë më të mëdha se ndonjë vend tjetër, që nuk është anëtar, për të përshpejtuar procesin e vet të anëtarësimit. Ndër të tjera, kryeparlamentarja Topalli ka cilësuar një çast të rëndësishëm historik për anëtarësimin në NATO, vizitën e homologut polak dhe gjeti rastin për të për të falenderuar mbështetjen që ka dhënë Polonia për vendin tonë. Polonia është një vend shumë i rëndësishëm në Bashkimin Europian, një faktor jashtëzakonisht vendimtar dhe pozicioni i saj i palëkundur për të mbështetur Shqipërinë në procesin e marrjes së ftesës për në NATO dhe sot të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, natyrisht, është një kontribut i jashtëzakonshëm, për të cilin shprehim mirënjohjen tonë, theksoi ajo.

Last Updated on Friday, 27 March 2009 18:21

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›