E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hebrenjtë, si dokumentohen në Shqipëri



“Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës”, një libër me rreth 300 faqe me studime dhe dokumente më të reja të zbuluara për fatin edhe lidhjet e hebrenjve me shqiptarët dhe Shqipërinë, tashmë gjendet në libraritë kryesore të vendit. Libri është përgatitur nga gazetari Naim Zoto, nën përkujdesin shkencor të Prof. Dr. Shaban Sinani, një nga studiuesit, që edhe falë punë në Arkivin Qendror, si drejtor, njihet në një rreth më të gjerë, atë ndërkombëtar për “çështjen e hebrenjve në Ballkan”. Botimi i librit është mundësuar nga ambasada e SHBA, si edhe Konsullata e Nderit e shtetit të Izraelit në Shqipëri. Në fakt, libri ka marrë shkas nga konferenca shkencore me titull: “Berati për shpëtimin e hebrenjve”, që u zhvillua vjet më 25 janar 2008, por që është pasuruar me materiale, të dhëna, dokumente të tjera të cilat e sjellin argumentin në formatin shkencor. Hartuesit e librit bëjnë publike studimet më të reja për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u fokusuar në sjelljen shqiptare ndaj Holokaustit nazist, sjellje që ka mahnitur Perëndimin. Në librin “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës”, gjenden të dhëna dhe studime mjaft interesante mbi aspekte të historisë së hebrenjve në Shqipëri nga autorë e historianë si Prof. Dr. Ferit Duka, Prof. dr. Pëllumb Xhufi; Prof. Dr. Kostas Giakoumis, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Jovan Basho etj. Duke lënë mënjanë rrëfimet dhe motivimet folklorike që kanë karakterizuar deri dje për të shpjeguar “fenomenin Shqipëri në sjelljen ndaj hebrenjve, libri “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës” shënjon një kontribut themelor për të pasur një histori realiste dhe të mbështetur në kritere shkencore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›