Ndryshime në ligjin “Për sigurimet”, ulet masa e kontributeve
Ndryshimet në projektligjin për sigurimet shoqërore kanë kaluar mes debateve dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Pavarësisht kundërshtimeve të deputetëve të opozitës, Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet, të cilat parashikojnë zbutjen e masës së kontributeve, e cila pritet të hyjë në fuqi në maj të këtij viti. Pikërisht kjo masë është konsideruar nga opozita si efekt elektoral, të cilin mazhoranca nis ta zbatojë një muaj para zgjedhjeve. Projektligji parashikon ndryshime të rëndësishme në masën e kontributit, e cila paguhet nga punëdhënësi për financimin e përfitimeve që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, meqenëse reduktimi i masës së kontributeve do të japë efekte në uljen e kontributit në 5 degët e sigurimit, ai do të ketë efekte edhe në uljen e masës së kontributit të sigurimeve shoqërore të personit të vetëpunësuar. Duke filluar nga data 1 maj 2009, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5 njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5%. Qëllimi i këtij p/ligji është lehtësimi i veprimtarisë së subjekteve nga barra e kontributeve, duke krijuar mundësitë për rritjen e numrit të kontributpaguesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, shmangien e veprimtarisë joformale dhe krijimin e raporteve më të drejta në zërat e shpenzimeve me synimin e deklarimit të pagave e të shpërblimeve. Sistemi i sigurimeve shoqërore ofron mbrojtje për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, në rast të pakësimit të të ardhurave për shkak të sëmundjes, barrëlindjes, për moshë madhore, për shkak të invaliditetit apo në rast vdekjeje për shkak të aksidenteve në punë dhe për papunësinë. Reduktimi i normës së kontributeve do të ketë një efekt ekonomik të dyanshëm. Nga vlerësimet e Ministrisë së Financave vlerësohet se ulja e kontributeve me 5% do të ketë një efekt negativ në të ardhurat e buxhetit të vitit 2009 me rreth 4 miliardë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore. Por, ky efekt negativ do të kompensohet përmes rritjes së interesit të të punësuarve dhe të punëdhënësve për t'u përfshirë më gjerë në skemën e sigurimeve shoqërore.