E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzoi me dy të mitura, 15 vjet burg për Haxhi Qeleminin



Akuzohet për abuzim seksual me dy të mitura, prokurori kërkon deklarimin fajtor dhe dënimin me 15 vjet burg për ish-policin tutor. Ndonëse njëra nga minorenet dëshmoi në favor të të pandehurit Qelemini në sallën e gjyqit, denoncimi i tyre para arrestimit dhe provat që dispononte organi i akuzës, e detyroi këtë të fundit të kërkonte dënimin me 15 vjet burg për ish-efektivin e policisë së Korçës. Mirëpo, vetë Qelemini nuk i ka pranuar akuzat gjatë seancave, të cilat janë bërë të gjitha me dyer të mbyllura për shkak të rrethanave dhe vajzave të implikuara në ngjarje. Sipas të pandehurit, ai është shprehur se ka pasur lidhje të hershme me njërën nga vajzat. Gjatë seancës së masës së sigurisë, i akuzuari është shprehur se me 13-vjeçaren A.Q., e cila edhe e ka denoncuar, ka pasur një lidhje të hershme. Sipas tij, në momentin që kanë ardhur uniformat blu dhe antitrafiqet dhe kanë kryer kontroll në banesën e tij, duke shqyer derën e apartamentit, nuk ka qenë duke abuzuar seksualisht me 13-vjeçaren dhe shoqen e saj J.O., 17 vjeçe, por duke ngrënë në tavolinë. Ish-polici akuzohet për “marrëdhënie seksuale me të mitura”, për të cilën rrezikon dënimin me 15 vjet heqje lirie. Seanca e djeshme u shty për t’i lënë kohë mbrojtjes së të pandehurit për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, për t’i lënë radhën shpalljes së vendimit nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu.

Ngjarja, sipas akuzës

Referuar deklarimeve të prokurorit, ish-polici Haxhi Qelemini, pasi i ka mbushur mendjen 13-vjeçares, ka ardhur me të në kryeqytet dhe kanë ndenjur së bashku në një apartament të marrë me qira. Pasi kanë ngrënë drekë bashkë, ky i fundit, sipas akuzës, ka filluar ta ngacmojë seksualisht vajzën e mitur dhe më pas ka kryer marrëdhënie me të. Të nesërmen, sipas organit të akuzës, të dy janë nisur në drejtim të Korçës, qytet ku edhe jetonin. Mësohet se i pandehuri i kishte premtuar babait të vajzës, A.Q., se do t’i gjente punë në Tiranë. Familja e 13-vjeçares ka ardhur në Tiranë dhe ka fjetur në banesën e marrë me qira nga ana e të pandehurit. Pasi janë kthyer sërish në Korçë, Qelemini i ka thënë 13-vjeçares që të merrte me vete edhe shoqen e saj. Kështu, sipas akuzës, vajza mësohet t’i ketë mbushur mendjen shoqes së vet, e cila ishte 17 vjeçe, dhe së bashku me të pandehurin kanë ardhur në kryeqytet, në banesën e këtij të fundit. Edhe atë ditë, 47-vjeçari Qelemini ka dhunuar sërish seksualisht 13-vjeçaren.

Dëshmia e vajzës në gjykatë

“Unë jam vetëm 13 vjeç. Me Haxhiun kemi qenë komshi në Korçë. Më pas erdhëm në Tiranë. Ai nuk ka pasur qëllim të keq ndaj meje dhe shoqes sime. Dua të them se bashkë me mua ka qenë edhe një vajzë tjetër. Ajo ishte 17 vjeçe. Ne qëndronim tek Haxhiu, pasi në Tiranë nuk kishim të njohur të tjerë. Për qëndrimin tim tek shtëpia e Haxhiut e dinte edhe babai. Ndërsa dua të them se ai nuk ka kryer asnjëherë marrëdhënie me ne dhe nuk ka pasur qëllim të na trafikojë. Ne na ka marrë policia dhe më pas na ka detyruar të bëjmë kallëzim kundër Haxhi Qeleminit”, - deklaroi minorenia në gjykatës, në prani të babait të saj. Po në të njëjtën linjë ka qëndruar gjatë dëshmisë së tij edhe babai i minorenes, i cili ndryshe nga momentet e para të arrestimit të Qeleminit, ka ndryshuar qëndrim dhe është shprehur se komshiu i tij nuk ka pasur synime të këqija ndaj vajzës së tij, dhe se nuk ka pasur asnjë synim trafikimi ndaj saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›