Hebrenjtë sipas arkivave
Libri i studiuesit Shaban Sinani, “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi”, përmbledh në një argument historinë e pranisë së hebrenjve në Shqipëri, marrëdhëniet e tyre me ambientin shqiptar dhe shpëtimin e tyre nga shqiptarët në kohët e vështira për ta. Libri është i vlefshëm për historianët profesionistë, studiuesit, gazetarët dhe lexuesit në përgjithësi.
Ky libër i përket një fushe studimi dhe botimi që ka marrë një përhapje të gjerë, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit, në Shqipëri e jashtë. Ai vjen në dritë pas një përvoje të gjithanshme të autorit në këtë kërkim. Libri dhe tërë botimet e veprimtaritë e tjera të ngjashme i shërbejnë përhapjes së dijes mbi fshehjen dhe mbijetesën tërësore të hebrenjve në Shqipëri, vendës dhe të ardhur, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lexuesi e ka të lehtë ta lexojë dhe ta ndërlidhë përmbajtjen e librit, si studim monografik. Vetë libri përfaqëson një vlerë shoqërore të shqiptarëve, të trashëguar përgjatë historisë së tyre. Libri është ndërtuar edhe mbi bazë të dhënash faktike, edhe mbi bazën e arsyetimit mbi to. Të dyja plotësojnë dhe pohojnë njëra-tjetrën. Të dyja ndihmojnë edhe për ta paraqitur më mirë të shkuarën, edhe për të kuptuar ngjarjet historike e sjelljet shoqërore, vetjake e kolektive të shqiptarëve si popull.
Meqenëse libri nis me kërkimin e të dhënave për praninë e hebrenjve në Shqipëri, për kohët e lëvizjeve të tyre, për vendndodhjet dhe për grupimet e tyre; libri është përfundim edhe i një pune mjaft të madhe regjistruese, përzgjedhëse e klasifikuese me dokumente të shumta arkivore. Autori ka analizuar një sasi të madhe botimesh dhe dokumentesh arkivore. Kjo shprehet edhe prej citimeve e referencave në fund të faqeve, të cilat janë të hollësishme. Të gjitha këto janë shoqëruar me analiza krahasuese të botimeve përkatëse për çështjen e dhënë, si dhe me fakte të hollësishme të reja, që i shërbejnë vërtetimeve vetëm mbi bazën e dokumenteve dhe dëshmive faktike. Një ndihmë e madhe për autorin ka qenë bashkëpunimi me kolegët e veprimtarët e kësaj fushe brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Autori, Shaban Sinani, jep në fillim një pasqyrë të pranisë kulturore të bashkësive hebraike në Shqipëri, duke u bërë analizë të hollësishme të gjurmëve të gjetura. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe pamjet e objekteve kulturore të zbuluara që jepen të shpërndara në libër. Më pas, autori analizon situatën e shpëtimit të hebrenjve para e gjatë periudhës së pushtimit italian si dhe sjelljen e qeveritarëve shqiptarë të kësaj periudhe në lidhje me shpëtimin e hebrenjve. Për vitet 1930 analizohet situata e hebrenjve të rrezikuar dhe zgjidhja e suksesshme e saj prej mbretërisë shqiptare, për aq sa mund të bënte një shtet i vogël si Shqipëria. Këtu jepen faktorët e jashtëm dhe të brendshëm që ndikonin në ndërlikimin apo zgjidhjen e saj. Një vend të veçantë zënë edhe përpjekjet fatkeqësisht të pambara për të tërhequr shkencëtarin e shqipes Norbert Jokl nga Austria në Shqipëri.
Një zë më vete është edhe qëndrimi i ushtrisë dhe zyrtarëve italianë në lidhje më hebrenjtë që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore në Evropë, më 7 prill 1939, e deri në kapitullimin e saj në shtator 1943. Më pas analizohet situata me ardhjen e ushtrisë gjermane në Shqipëri, si veproi komanda naziste dhe si vepruan qeveritarët e populli shqiptar për shpëtimin e hebrenjve deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Së fundmi, studimi monografik i Shaban Sinanit jep një vlerësim të gjendjes së dijes pas disa konferencave shkencore ndërkombëtare të organizuara këto vite, në lidhje me praninë e hebrenjve në Shqipëri dhe shpëtimin e tyre para e gjatë Luftës së Dytë Botërore, faktorët historikë e shoqërorë që kanë ndikuar në këtë vepër të madhe, familjet me rol të spikatur të qytetit dhe fshatrave të Beratit në këtë shpëtim etj. Vlerë e re e punës së autorit është vërtetimi i një liste të 2265 hebrenjve që kanë hyrë në Shqipëri para e gjatë Luftës së Dytë Botërore, listë që gjendet prej gushtit të vitit 2005 e depozituar prej tij në Muzeun Përkujtimor të Holokaustit. Çdo emër i përveçëm i kësaj liste ka përbri të dhënat e plota të dokumentit/dokumenteve arkivore shqiptare ku ai është i regjistruar si hebre, kohën kur ka ardhur në Shqipëri, që u përgjigjet viteve 1930-1940, prej shpalljes së doktrinës raciste naziste deri në fitoren e Luftës së Dytë Botërore.
Një listë e re dhe e veçantë u përket hebrenjve të ish-Jugosllavisë, të cilët, nga autorë me dije të kufizuar ose me dashakeqësi, deklarohen si të humbur në Kosovë e rrethinë, por në fakt kishin hyrë në Shqipëri dhe shpëtuan. Kjo listë ka dalë nga krahasimi me imtësi i dokumenteve arkivore shqiptare dhe atyre të botuara nga autorë të huaj, sidomos ish-jugosllavë.
Një dije e re, e shtuar dhe e sqaruar, i përket historisë së Divizionit XXI SS Malor “Skanderbeg”, i formuar në mesin e vitit 1944 me ushtarë shqiptarë dhe i shpërbërë po në fund të vitit 1944. Në libër sqarohet gjerësisht si e pse u krijua ky divizion, sa ushtarë të rreshtuar pati, ku veproi, kur mori urdhra për të shoqëruar të arrestuar nga Prishtina për në kampin e përqendrimit në Sajmishte të Beogradit, sa hebrenj u dërguan me tren me të arrestuarit nga Prishtina në atë kamp etj. Në libër jepen listat e hollësishme origjinale me urdhrat ushtarakë dhënë këtij divizioni për shoqërimin e të arrestuarve. Nga këto lista del qartë se kanë qenë vetëm 35 hebrenj, të tjerët ishin shqiptarë, malazezë e të tjerë të arrestuar si kundërshtarë të nazizmit.
Ngaqë autori është përqendruar në dokumentet e arkivuara gjatë kërkimit të tij shkencor, kanë dalë në pah veprimet e qeverive shqiptare, situatat që ato kanë përballuar, llojet e shkresave qeveritare dhe mënyra e shkrimit të tyre. Meqenëse analiza e historisë është analiza e ngjarjeve të shkuara, të ndodhura shumë kohë më parë, një kërkim shkencor i mirë ka nevojë të mbështetet dhe t'i analizojë ato edhe në modelet e ndërtuara prej autorëve të tjerë. Një gjë e tillë është bërë shumë mirë në këtë libër. Autori ka analizuar një numër të madh botimesh e dokumentesh arkivore në këtë fushë dhe një listë e gjatë jepet në fund të librit. Gjithashtu, një seri e madhe dokumentesh të arkivave shqiptare janë shoqëruar edhe me një përshkrim të përmbajtjes së tyre. Teksti kryesor i librit është i shoqëruar nga një seri shtojcash, të cilat janë të shpërndara sipas kapitujve të librit.
Saimir Lolja
Toronto, Kanada