Shqipëria rrit bashkëpunimin me EUROPOL-in në luftën ndaj krimit
Shqipëria do të rrisë bashkëpunimin me EUROPOL-in për të rritur efektivitetin dhe forcën goditëse ndaj krimit të organizuar. Marrëveshja u arrit gjatë takimit të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, me Drejtorin e Përgjithshëm të EUROPOL-it, Rob Wainwright, në Hagë të Holandës. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar bashkëpunimi midis vendit tonë dhe policisë evropiane do të ngrihet në një nivel edhe më të lartë, ku synohet që të forcohet komunikimi dhe shkëmbimi i informacionit mbi veprimtaritë kriminale. “Arritja e kësaj marrëveshjeje është shenjë e besimit jo vetëm tek vullneti, por edhe tek kapacitetet e Shqipërisë për të punuar së bashku me autoritetet evropiane në luftën kundër krimit të organizuar, në këtë kuadër edhe një dëshmi më shumë për Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE, për sa i përket vendimit për heqjen së shpejti të vizave për qytetarët shqiptarë”, - deklaroi Basha. Numri një i Ministrisë së Brendshme e cilësoi realizimin e kësaj marrëveshjeje një hap të rëndësishëm për Shqipërinë si në nivelin operacional të shkëmbimit të të dhënave, edhe në nivelin institucional të reformimit të Policisë së Shtetit. Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rolin e saj udhëheqës në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale. “Jam informuar nga ministri për rezultatet impresionuese të programit të suksesshëm të reformave që po ndërmerren në vend. Ne kemi folur për një numër të konsiderueshëm të bandave kriminale që janë goditur dhe kjo po ofron një shembull të rolit udhëheqës që ka Shqipëria në rajon për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar”, - tha Wainwright duke shtuar se ishte shumë i impresionuar nga progresi që ka bërë Shqipëria. “Kjo është edhe arsyeja për të cilën unë e përgëzova ministrin. Është e mirë për Shqipërinë dhe për kontinentin evropian si i tërë”, - u shpreh Wainwright. Ministri Basha shtoi se Shqipëria është e vendosur në politikën e saj me tolerancë zero në luftën ndaj krimit të organizuar, e vendosur që atë arritje që ka sot në Ballkanin Perëndimor, si vendi me klimën më armiqësore ndaj krimit të organizuar, ta mbajë e ta çojë më tej duke siguruar një ambient të sigurt për qytetarët shqiptarë, qytetarët e rajonit dhe për qytetarët evropianë, pra të eksportojë siguri drejt vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje përcakton gjithashtu edhe mënyrat e format e bashkëpunimit për realizimin e operacioneve të përbashkëta, kryesisht ato ndërkufitare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
Takim me ministrin e Çështjeve Evropiane të Holandës
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Holandë, pati një drekë pune me ministrin e Çështjeve Evropiane të Holandës, Frans Timmermans. Kreu i Ministrisë së Brendshme foli me ministrin holandez për zhvillimet në Shqipëri, me theks të veçantë reformat dhe hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për procesin e liberalizimit të vizave dhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ministri Timmermans e siguroi ministrin Basha për mbështetjen e plotë që Holanda i ka dhënë dhe do të japë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.