Blendi Klosi hedh në erë bojkotin: Do kthehemi në Kuvend para datës 7 mars
Në ditën që duhet të ishte dita e tregimit të muskujve të PS-së ndaj qeverisë, Blendi Klosi hedh në erë planin e bojkotit duke pranuar se do të kthehen në Kuvend para datës 7 mars. Deklarata e fortë e sekretarit organizativ të PS-së dhe një prej miqve të ngushtë të Edi Ramës është bërë dje tek TV “Ora news” në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve të orës 15:00. I pyetur se ç’do të bëhet me mandatet e deputetëve socialistë nëse ata konsumojnë kohën që lejon Kushtetuta, Klosi është shprehur: “Ky është një qëndrim që e kemi thënë edhe me përpara, për të mos djegur mandatin që na ka dhënë elektorati, ne do të hyjmë në Kuvend para afatit kushtetues, domethënë para datës 7 mars". Në këtë mënyrë, Klosi ka nxjerrë bllof ultimatumet e PS-së për hapjen e kutive e për zgjedhje të parakohshme që viheshin si kushte të panegociueshme për kthimin në Kuvend. Klosi tha se e kemi thënë dhe më parë, por në fakt nuk ishte thënë kurrë më parë nga asnjë mbështetës i bojkotit se ata do të ktheheshin në Kuvend para datës 7 mars. Vërtet zoti Rama ka shprehur në mbledhjet e mbyllura të grupit se mandatet nuk do digjen, por ai e ka përdorur këtë frazë në kuadër të sjelljes politike dhe jo si një afat konkret për rikthimin në Kuvend. Mësohet se deklarata e Klosit ka qenë një bombë e vërtetë për selinë e PS-së dhe për kreun e saj Rama, i cili sapo kishte mbajtur një fjalim të ashpër ku kërkonte protesta të reja dhe zgjedhje të parakohshme, duke kërkuar largimin e Berishës nga pushteti. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se ka pasur debat mes Ramës e Klosit për këtë deklaratë, e cila në fakt nuk u ritransmetua më tej në televizionin ku u tha. Ndërsa Klosi, pasi u vu në bankën e të akuzuarve nga Rama e drejtues të tjerë të PS-së, e ka mohuar ta ketë thënë një gjë të tillë megjithëse për fat të mirë e kanë parë e dëgjuar teleshikuesit e “Ora news” dhe sigurisht një pjesë e mirë e PS-së.
Vendimi për protestat
Në mesditë në një mbledhje me deputetë dhe funksionarë lokalë të partisë, Rama mbajti një fjalim me nota të ashpra kundër Kryeministrit dhe premtoi përshkallëzim të protestave. Në këtë takim të hapur për median nga kundërshtarët partiakë të tij ishin të pranishëm Ben Blushi dhe Arben Malaj, por asnjëri prej tyre nuk e morën fjalën aty, pasi i vetmi që foli ishte Rama. Kreu i PS-së foli për një riorganizim protestash në të gjitha qytetet e vendit dhe me një mbyllje tjetër në miting në kryeqytet. Këtë herë kushtet që i vihen mazhorancës kalojnë nga hapja e kutive tek zgjedhjet e parakohshme. Ndërkaq Rama u ka kërkuar biznesmenëve dhe deputetëve të tij që u përmendën dy ditë më parë nga Kryeministri si abuzues me trojet në Tiranë, që t’i drejtohen drejtësisë. “Shpreh solidaritetin e plotë timin e të Partisë Socialiste, me të gjithë ata deputetë që mbrëmë u përgojuan poshtërsisht nga pseudokryeministri i vendit, për shkak të sipërmarrjeve plotësisht të ligjshme të tyre, të fëmijëve apo të të afërmve të tyre”, - tha kryesocialisti. Rama nuk la pa prekur dhe akuzat që i janë drejtuar atij për jetën personale, duke thënë se PS nuk do të merret kurrë me jetën personale të kundërshtarëve. “Ky njeri, pikërisht ky që në 20 vjet s’ka lënë shtëpi kundërshtari pa futur gjuhën, s’ka lënë krevat pa shkundur, sirtar pa rrëmuar e njeri pa lënduar me xhindosjen e fantazisë së tij mitomaniake, sot ngrihet e u thotë shqiptarëve se unë, kryetari i opozitës, po i sulmokam familjen. Cilën familje po i sulmoj? Familjen e njerëzve që dashurojnë, lindin fëmijë, martohen, grinden, pajtohen, vishen, zhvishen, shkruhen, fotografohen, flirtojnë, ndahen, ikin, vijnë, bien në ujdi, bëjnë krushqi, shoqëri, miqësi, jetojnë lirinë e tyre për të ndenjur bashkë ose jo?!”, - u shpreh kreu i PS-së.
Pyetësori për statutin, Rama pyet bazën për mendimin ndryshe
Në një kohë kur ka vendosur ta mënjanojë plotësisht mendimin ndryshe në parti, Edi Rama ndërmerr një hap kontradiktor duke pyetur bazën nëse duhet lejuar apo jo mendimi ndryshe në parti. Megjithëse duket një kundërshti me sjelljen e Ramës me mendimin ndryshe në parti, pyetje që i shtrohet anëtarësisë bëhen për efekt të hartimit të ndryshimeve statusore. Duket madje dhe si një provokim ndaj grupit që mendon ndryshe, pasi anëtarësia, në rastin konkret ky është një term fiktiv, pasi raportimet i bëjnë krerët e degëve lokale, do të shprehet për këtë gjë. Nëse anëtarësia nuk e sheh të nevojshme legalizimin e mendimit ndryshe, atëherë Rama ka një gur në dorë për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve. Në takimin e djeshëm të Partisë Socialiste me sekretarët e këshillave socialistë të rretheve dhe kryetarët e partisë së bashkive në të gjithë territorin u shpërndanë disa pyetësorë për bazën e partisë. Këto pyetësorë janë në funksion të ndryshimeve statusore, që PS po i bën paralelisht me protestat. Bëhet fjalë për afro 13 pyetje, që vërtiten rreth mënyrës organizative të partisë dhe ndër të tjera i kërkohet mendim bazës dhe për mënyrën se si duhet të sillet partia ndaj mendimit ndryshe. Rama para se të bëhej kryetar ka qenë një mbështetës i flaktë i legalizimit të fraksioneve, pra i mendimit ndryshe, por kur erdhi në krye tregoi të kundërtën, mosrespektim të atyre që mendojnë ndryshe nga ai.