E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i varfër dhe i dashuruar!



Nëpër cepat e botës shumë njerëz zgjohen të varfër për çdo mëngjes. Por a mundet që mjerimi e babëzia t’i ushqejë ata që në lindje? Si komunikon e pashpresa me të gjallët, kur ajo s’njeh fundin “e lojës”? Apo në skajin tjetër, si mund të zgjatet dashuria e dy çifteve, kur ata janë të vetëdijshëm se vdekja e njërit është aty? Por, paska një zgjidhje. Fenomene të tilla ndodhin rëndom në shoqërinë e sotme, në çdo vend të botës pa asnjë dallim. Janë tematikat që kanë dominuar filmat me metrazh të shkurtër, dokumentarë, filmat e animuar gjatë ditës së djeshme në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Tiranë. Ndonëse para një publiku tepër të varfër, sa për të thënë në numër, në sallën e Tetarit Kombëtar, pra aty ku shfaqen prurjet filmike, edhe dje janë prekur tema sociale, ashtu si në ditët e tjera të konkurrimit. Kështu, u dha filmi i shkurtër “Omlette” (Omletë) me regji të Nadejda Koseva që vjen nga Bullgaria. Ngjarja zhvillohet në Sofje, ku ceket varfëria ekstreme, e simbolizuar në tri kokrra vezë që blihen nga një nënë e varfër. Ajo mundohet të kursejë, por tentativa e saj shkon bosh, pasi kokrrat e vezëve thuhen pa u hedhur në tigan. Ndërkohë, edhe dokumentari i regjisores kosovare Shota Bukoshi, “Two loves stories” (Dy histori dashurie) reflekton të njëjtin aspekt. Një vizitë e dy çifteve rome në Kosovë krijon një botë paralele si në linjat dhe në mesin e shoqërisë kosovare. Spote nga rrethi i jetës, dashuria, puna dhe humbja e lidhjeve tregojnë shumë tipe të ndryshme historish. Pothuajse pa vënë re vëzhguesi hyn në jetët e tyre dhe intrigohet për të ditur më shumë për ata. Në festivalin e djeshëm u shfaq edhe filmi i shkurtër spanjoll “Absent” (Mungesa) me regji të Guillermo Asensio. Në këtë produksion ora biologjike e Anës, personazhit të vetëm, sapo ka filluar të rrahë, duke paraqitur rifreskimin e një gruaje të vetmuar. Një tjetër film spanjoll me metrazh të shkurtër ishte edhe “Love” (Dashuria) me regji të Cristian Solimeno. Në 15 minuta film dy partnerë janë përpara një momenti simpatie dhe zemërthyerjesh, ku memoriet e hidhura ndërhyjnë në thellësinë e dashurisë. Po ashtu, dje janë shfaqur edhe tituj të tjerë, si: “De si pres” (Barazia) me regji të Remi Durin, “Heart of Amos Klein” nga Michal dhe Uri Krandt, “Coming out” nga Pici Papai etj.

S. F.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›