Hedh granatën në shtëpinë e gabuar, vdes vajza 3-vjeçare
DELVINË- Një sherr për një mur ndarës ka rezultuar tragjik për familjen Vathi, pasi vajza e vogël e shtëpisë ka humbur jetën, ndërsa nëna dhe gjyshi i saj janë plagosur rëndë. Por në fakt shënjestra e autorit të ngjarjes nuk ka qenë kjo familje, për fat të keq granata është hedhur në vendin e gabuar. Bilanci ka qenë tragjik, pasi vajza tre vjeçe humbi jetën dhe dy të afërm të saj u plagosën në Delvinë, kur një 74-vjeçar sulmoi me granata shtëpinë ku jetonte familja Vathi. Pak kohë pas shpërthimit që tronditi Delvinën është arrestuar i moshuari i cili nuk u ka bërë rezistencë forcave të policisë.
Shpërthimi
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 të mbrëmjes së dy ditëve më parë në lagjen “Xhermëhallë” të Delvinës, ku Selman Meleqi, 74 vjeç, hodhi dy granata dore në banesën dykatëshe, duke menduar se po sulmonte shtëpinë e Viktor Buçit, me të cilin kishte konflikt pronësie. Por gabimi i shënjestrës i ka kushtuar jetën 3-vjeçares Sara Zera dhe ka lënë të plagosur rëndë nënën e saj Age Zera, 35 vjeçe, dhe gjyshin Nikollë Vathi. Sipas mjekëve të Sarandës, për të voglën nuk ka patur asnjë shans mbijetese, pasi goditja i ka shkaktuar plagë të rënda, ndërsa nëna e saj është transportuar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë me dëmtime të rënda në organet e brendshme. Gjyshi i vogëlushes, Nikollë Vathi, vazhdon të trajtohet në spitalin e Sarandës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se shënjestra ka qenë Viktor Boçi, por atentatori nuk ka pasur informacion të saktë për adresën e tij dhe ka sulmuar gabimisht familjen Vathi me origjinë nga Shkodra, që jetonte me qira në ndërtesën e vjetër.
Në banesë ndodheshin çifti i bashkëshortëve Nikollë e Bardha Vathi, vajza e tyre Age Zera dhe mbesa trevjeçare Sara. Nga shpërthimi i granatave ka mbetur e vdekur në vend vogëlushja, ndërsa janë plagosur rëndë Nikollë Vathi dhe Age Zera. Policia e Delvinës me përforcime edhe nga Saranda ka arrestuar menjëherë autorin e krimit të rëndë, i cili ishte i tronditur pasi mësoi se kishte sulmuar gabimisht familjen Vathi dhe nuk ka bërë rezistencë. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se 74-vjeçari njihet si person problematik dhe herë të tjera është shoqëruar nga uniformat blu. Ai ka tentuar të qëllojë nipin e tij me pushkë pas një konflikti të çastit me të.
Kërcënimi
Viktor Boçi, i cili ka qenë personi drejt të cilit ka qenë dhe objekt i këtij sulmi, ka pohuar se prej kohësh kishte pasur përplasje me 74-vjeçarin Selman Meleqi, pasi kishin debatuar për çështje pronësie. Ditën kur ka ndodhur ngjarja Boçi tregon se ka qenë së bashku me persona të tjerë duke punuar, pasi po merreshin duke bërë një mur dhe në atë moment ka parë Meleqin i cili kishte dy granata në dorë dhe kishte shkuar për t’i kërcënuar, në mënyrë që të mos punonin pa sqaruar çështjen e pronësisë më parë. “Në fillim hodhi bombën e parë dhe ne ishim afër 15 veta duke punuar kur dëgjova shpërthimin. Pas asaj hodhi dhe granatën e dytë, por brenda momentit e kapi me dorë dhe nuk e hodhi në drejtimin tonë, duke përfunduar kështu në oborrin e familjes Vathi”, ka pohuar Boçi. Sipas tij, në momentin e shpërthimit, vajza ka qenë duke luajtur në oborr, ndërsa e ëma ishte duke ngrënë bukë në verandë. Familja Vathi kishte pak kohë që ishte vendosur në Delvinë, pasi ishte shpërngulur nga veriu i Shqipërisë.